Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur gjoba për 11 parti politike dhe kandidatë. Vendimi vjen pas propozimit të dhënë nga komisioneri shtetëror i zgjedhjeve në datë 7 dhjetor 2022

Masat administrative (gjobat) vijnë pasi partitë tejkaluan kufirin maksimal të shpenzimeve në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit

Ndër to KAS ka gjobitur me 5 milionë lekë Partinë Socialiste dhe me 195 mijë lekë kandidatin e LRE Fitimtar Lala.

VENDIM
PËR SHQYRTIMIN E KËRKESËS NR. 04, DATË 14.12.2022 TË KOMISIONERIT SHTETËROR TË ZGJEDHJEVE
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në mbledhjen e datës 16.01.2023, me pjesëmarrjen e:
Koli BELE – Relator
Elvin LAKO – Anëtar
Elvis ÇEFA – Anëtar
Ilirjan RUSMALI – Anëtar
Ledio BRAHO – Anëtar

Shqyrtoi çështjen me:
KËRKUES: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve

OBJEKT: Vendosja e sanksionit administrativ ndaj subjekteve zgjedhore Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Demokratike, Partia Demokristiane e Shqipërisë, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit, Lëvizja e Re, Partia Republikane e Shqipërisë, Balli Kombëtar Demokrat, Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, Nisma Thurje, Bindja Demokratike, Lëvizja Demokratike Shqiptare, Partia Socialdemokrate, Balli Kombëtar dhe ndaj kandidatit Fitimtar Lala.

BAZË LIGJORE: Neni 19, pika 1, shkronja “c” dhe neni 21, pika 1, shkronja “dh” të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;

Rrethanat e çështjes:
1. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar raportin e gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 25.04.2021, dhe me vendimin e tij nr. 224, datë 07.12.2022, pasuar nga kërkesa nr. 04, datë 14.12.2022, ndër të tjera i ka kërkuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosjen e sanksionit administrativ me gjobë, për shkelje të dispozitave të nenit 173, të Kodit Zgjedhor për një numër subjektesh zgjedhore, si vijon:

• masë administrative gjobë për subjektin zgjedhor “Partia Demokratike”, sipas nenit 173, pika 8 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Demokristiane e Shqipërisë”, sipas nenit 173, pika 1 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, sipas nenit 173, pika 1 të Kodit Zgjedhor.

• masë administrative gjobë, për kandidatin z. Fitimtar Lala të subjektit zgjedhor “Partia Lëvizja e Re”, sipas nenit 173, pika 5 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Lëvizja e Legalitetit”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.

• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Republikane”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Balli Kombëtar Demokrat”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Nisma Thurje”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Bindja Demokratike”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.

• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Socialdemokrate;”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Balli Kombëtar”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Demokratike”, sipas nenit 173, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
• masë administrative gjobë, për subjektin zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, sipas nenit 173, pika 9 të Kodit Zgjedhor.

2. Vendimi i Komisionerit nr. 224, datë 07.12.2022 njihte të drejtën e ankimit brenda një afati 3 ditor për palët që ndjeheshin të cenuara në të drejtat e tyre të ligjshme, mbështetur në fjalinë e dytë të pikës 2, të nenit 124/1 të Kodit Zgjedhor. Gjatë shqyrtimit paraprak të kërkesave ankimore të subjekteve zgjedhore Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Partia Republikane e Shqipërisë (shih vendimin e KAS-it nr.24, datë 19.12.2022), KAS-i konstatoi se periudha e përcaktuar në këtë fjali ka përfunduar të nesërmen e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të datës 25.04.2021. Për këtë arsye, e drejta e ankimit duhet të lidhet me afatin 30 ditor, sipas fjalisë së tretë, të pikës 2 të nenit 124/1 të Kodit Zgjedhor.

3. Për nga natyra e tij vendimi nuk cenon apo prek asnjë interes të ligjshëm të asnjë pale, sepse lënda e tij është “shprehje qëllimi” ose “deklaratë vullneti”, pa asnjë pasojë për palët e treta. Kompetenca për vendosjen e sanksioneve administrative i përket ligjërisht KAS-it, i cili vihet në lëvizje me kërkesë nga Komisioneri. Në këtë kuptim, ankimet janë në fakt pa objekt dhe palët e interesuara pa legjitimitet. KAS-i çmon se rregullshmëria e hetimit administrativ e kërkon që sa herë që Komisioneri konstaton shkelje administrative që imponojnë vendosjen e sanksioneve t’ia parashtrojë ato KAS-it, me kërkesë, pa pasur nevojën që vullnetin e tij t’a veshë me formën e një vendimi.

4. Mbi këtë arsyetim bazë, KAS-i vendosi në seancën e shqyrtimit paraprak, që u zhvillua lidhur me kërkesat ankimore ndaj vendimit të Komisionerit nr. 224, datë 07.12.2022, të depozituara nga Partia Demokristiane e Shqipërisë, Partia Republikane e Shqipërisë dhe lidhur me kërkesën e Komisionerit nr. 04, datë 14.12.2022 që të zgjasë afatin e shqyrtimit administrativ përtej afatit 30 ditor, të modifikojë objektin e shqyrtimit administrativ nga procedurë për shqyrtimin e ankimeve në procedurë për shqyrtimin e kërkesës së Komisionerit dhe që palët ankuese të thirreshin në seancë me cilësinë e palëve të interesuara.

5. Në këtë logjikë u morën vendimet nr.24, datë 19.12.2022 dhe nr.01, datë 16.01.2023.

6. KAS-i vendosi që relator i çështjes të mbetej z. Koli Bele, si relatori i caktuar me short për çështjen e parë me këtë objekt.

7. Në seancën e datës 16.01.2023, KAS-i mori në shqyrtim kërkesën e Komisionerit, të prezantuar nga z. Ylli Merkaj, Sekretar i Përgjithshëm i KQZ-së, në prani të përfaqësuesve të palëve të interesuara; Partia Nisma Thurje, Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar, Partia Bindja Demokratike, Partia Balli Kombëtar, Partia Demokristiane e Shqipërisë, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Social Demokrate, Partia Republikane.

8. Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së kërkoi miratimin e kërkesës së Komisionerit. Përfaqësuesit e pranishëm të palëve të interesuara kërkuan rrëzimin e kërkesës.

9. KAS-i mori në shqyrtim dhe administroi:

 Kërkesën e Komisionerit nr. 04, datë 14.12.2022;
 Vendimin e Komisionerit nr.224, datë 07.12.2022;
 Kërkesën ankimore nr. 10 datë. 09.12.2022;
 Kërkesën ankimore nr. 11, datë 12.12.2022;
 Kërkesën ankimore nr. 15, datë 16.12.2022;
 Kërkesën ankimore nr. 28, datë 12.01.2023;
 Aktmarrëveshjen për financimin midis KQZ dhe Partisë Republikane
 Marrëveshjen e koalicionit Partia Demoktratike-Aleanca për Ndryshim (PD-AN)
 Raportin financiar 2021 të Partisë Balli Kombëtar Demokrat
Në përfundim të shqyrtimit administrativ dhe të vlerësimit të provave dhe pretendimeve të palëve,
KAS-i konstatoi:

1. Tipologjia e shkeljeve të konstatuara nga Komisioneri për 14 subjekte zgjedhore dhe 1 kandidat, për të cilët kërkon vendosjen e sanksionit administrativ përmbledh mosdorëzimin e raporteve të të ardhurave dhe shpenzimeve nga një numër kandidatësh të subjekteve, mosbashkëpunimin ose refuzimin për të bashkëpunuar me KQZ-në lidhur me raportimin, mungesën e dokumentacionit shoqërues për shpenzimet, raportimin jo sipas formatit të standardizuar si dhe kapërcimin e limiteve ligjore në kryerjen e shpenzimeve dhe pranimin e donacioneve.

2. Palët e interesuara pjesëmarrëse në seancë ngritën dy pretendime kryesore për të justifikuar shkeljet e konstatuara, pretendimin se mungesa e raportimeve për kandidatët vjen për shkak se kandidatët nuk kanë pasur shpenzime (në rastin e partisë politike “Nisma Thurja”, për shkak se nuk kanë kryer fushatë), si dhe pretendimin se për partitë pjesëmarrëse në koalicion nuk mund të vendosen sanksione administrative, sa kohë që detyrimi për raportim i takon partisë udhëheqëse të koalicionit.

3. Trajtimi i këtyre pretendimeve ka shumë rëndësi për zbatimin e rregullt dhe uniform të Kodit Zgjedhor.
4. Fushata zgjedhore është e lidhur pazgjidhshmërisht me kryerjen e shpenzimeve për veprimtaritë në fushatë. Të gjitha veprimtaritë kanë kosto, e cila duhet të evidentohet dhe të raportohet si shpenzim si kur mbulohet nga vetë kandidati ose subjekti zgjedhor nga të ardhurat e veta, si kur mbulohet nga financimi buxhetor, si kur mbulohet nga donacionet në të holla ose në natyrë.

5. Kodi Zgjedhor ka adoptuar një mekanizëm pariteti proporcional dhe mbështetjeje financiare për subjektet elektorale, me qëllimin që të lehtësojë barrën e shpenzimeve dhe ta bëjë garën sa më të barabartë. Por, që të ruhet barazia në konkurrim duhet që kontrolli dhe mbikëqyrja e zbatimit të rregullave për financimin e fushatës të jetë i hollësishëm dhe i rreptë. Për këtë arsye ka shumë rëndësi që raportimi, rregullshmëria, saktësia dhe vërtetësia e tij të jenë të garantuara dhe të pacenueshme.

Shkeljet në raportim, fshehja e të ardhurave dhe shpenzimeve, cenimi i kufijve ligjorë lidhur me masën e të ardhurave dhe shpenzime përbëjnë, në këndvështrim të Kodit Zgjedhor, kundravajtje të rënda. Ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor kanë synuar pikërisht forcimin e disiplinës financiare dhe transparencën e raportimit, në mënyrë të veçantë nëpërmjet forcimit të sanksioneve. Kjo rreptësi duhet të karakterizojë edhe KQZ-në në trajtimin e këtyre rasteve.

6. KAS-i çmon se pretendimi për fushatë të kandidatëve “pa shpenzime” është një pretendim jo real, i cili mund të vijë nga padija, paaftësia për të ruajtur disiplinë financiare apo për të organizuar siç duhet punën, por mund të vijë edhe si tentativë për mosraportim të saktë, për fshehje apo devijim të një pjese të të ardhurave dhe shpenzimeve në kanale informale, apo si shmangie nga tavanet ligjore etj. Pavarësisht nga motivet, pretendimi për kandidatë “pa shpenzime” nuk mund të pranohet nga KAS-i, sepse një pretendim i tillë është de facto i pavërtetë.

7. Në themel të zgjedhjeve demokratike qëndron parimi i konkurrueshmërisë. Makina administrative e zgjedhjeve ngrihet dhe mbahet në këmbë pikërisht për t’i shërbyer këtij parimi. Parimi i konkurrueshmërisë kërkon që të mos ketë kufizime në të drejtën për të marrë pjesë në garë dhe që garuesit të jenë të barabartë me njeri tjetrin.

8. Kushtet dhe kriteret e vendosura për t’u plotësuar nga subjektet zgjedhore janë proporcionale dhe nuk e cenojnë konkurrueshmërinë. Prandaj respektimi ose jo i tyre nga subjektet dhe kandidatët nuk mund të trajtohet si çështje e vullnetit të tyre të lirë dhe as si taktikë individuale zgjedhore.

9. Kandidatët që regjistrohen në zgjedhje regjistrohen për të marrë pjesë në garë. Praktika zgjedhore mund të njohë raste kur kandidatë të veçantë mund të mos zhvillojnë dot veprimtari fushate, por ky rast mund të pranohet vetëm si rast përjashtimor dhe që vjen për shkaqe madhore.

10. Një nga kushtet e vendosura për subjektet zgjedhore për të marrë pjesë është ai i plotësimit të listave shumemërore në bazë qarku. Neni 67 i Kodit Zgjedhor kërkon që “numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy”. Ky kusht i shërben ruajtjes në çdo rast të funksionalitetit të organit të zgjedhur dhe garantimit të paritetit gjinor.

Ky kusht përbën conditio sine qua non për partinë politike që kërkon të marrë pjesë në garë. Por kjo nuk do të thotë, se kushti mund të anashkalohet duke dorëzuar lista kandidatësh jo reale, të mbushur me emra individësh që nuk e ndjejnë, nuk duan ose që nuk kanë nevojë të marrin pjesë në garë. Plotësimi fiktiv i listave të kandidatëve, me qëllimin që një ose disa kandidatë të marrin pjesë në garë me formatin e një partie politike është praktikë e kundërligjshme zgjedhore, sepse cenon parimin e konkurrueshmërisë dhe barazinë e palëve në garë.

11. Kandidimi i një ose disa kandidatëve të së njejtës përkatësi është i mundur sipas Kodit Zgjedhor, pa pasur nevojë për plotësimin formal/fiktiv të kushtit të nenit 67 të Kodit për numrin e kandidatëve në listë. Ai realizohet me mekanizimin e kandidatëve të pavarur, për të cilët veprojnë kushte dhe kritere të tjera. Nëse një parti e vogël politike zgjedh me vetëdije konkurrimin si parti në zgjedhje, atëherë ajo duhet të pranojë dhe respektojë të gjitha kushtet dhe kriteret e vendosura nga Kodi për partitë politike, përndryshe i takon të përballet me pasojat që Kodi ka parashikuar për kundravajtjen.

12. Për këto arsye, KAS-i e gjen me vend që t’a rrëzojë pretendimin e paraqitur për mosraportim të kandidatëve “për shkak se nuk kanë pasur shpenzime, ngaqë nuk kanë bërë fushatë”. Kandidimi fiktiv është në kundërshtim të hapur me qëllimin e zgjedhjeve dhe parimet mbi të cilat zhvillohen ato, prandaj KAS-i nuk mund ta legjitimojë këtë praktikë.

13. Pretendimi tjetër i rëndësishëm ishte pretendimi i ngritur nga një pjesë e palëve të interesuara, se, sa i takon koalicioneve, detyrimet dhe përgjegjësitë për raportimin i takojnë partisë udhëheqëse të koalicionit dhe partitë pjesëmarrëse në koalicion nuk mund të penalizohen për mangësi në raportim, sa kohë që për to mungon detyrimi për raportim. Partia udhëheqëse e koalicionit duhet të përgjigjet përpara KQZ-së dhe eventualisht të penalizohet për mospërmbushje të detyrimeve në raportim, në emër dhe për llogari të të gjitha partive pjesëmarrëse.

14. Pretendimi mbështetej në leximin, nga ky pozicion, të fjalisë së dytë të pikës 3, të nenit 65 të KZ: “Për nevojat e zbatimit të këtij ligji, të gjitha të drejtat dhe detyrimet që ky ligj përcakton për subjektet zgjedhore përmbushen nga partia udhëheqëse e koalicionit”.

15. Çështja e transferimit të të drejtave dhe detyrimeve tek partia udhëheqëse e koalicionit është trajtuar nga KAS-i në vendimin e tij nr. 20, datë 05.04.2021 dhe nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor në vendimin e tij nr.8, datë 19.04.2021. Këto vendime kanë pasur në fokus të drejtën e partisë politike pjestare të koalicionit për të propozuar anëtarët e GNV-ve. Në këtë rast, si KAS-i ashtu dhe KZGJ-ja kanë mbështetur leximin, se qenia e një partie pjestare në një koalicion e zhvesh atë nga të drejtat dhe detyrimet që i takojnë sipas Kodit Zgjedhor. “Detyrimi i vendosur nga neni 65, paragrafi 3 i Kodit Zgjedhor nuk mund të konsiderohet i përmbushur vetëm me përcaktimin e një partie udhëheqëse të koalicionit, nëse kjo parti nuk do të kishte një “status të veçantë” në krahasim me partitë e tjera. Pra, me vullnetin e tyre të lirë partitë politike zgjedhin mes tyre atë udhëheqëse, në mënyrë që kjo e fundit të ushtrojë në emër dhe për interes të të gjitha partive pjesëtare të koalicionit, të drejtat dhe detyrimet që i njihen çdo subjekti politik pjesëmarrës në zgjedhje” (Vendimi i KAS-it nr. 20, datë 05.04.2021).

16. Përtej qëndrimit të mbajtur me vendimin nr.20, datë 05.04.2021, KAS-i konstaton se detyrimi për raportimin financiar nuk formon një rregullim sui generis në Kodin tonë Zgjedhor, i cili të përjashtojë zbatimin e paragrafit 3, të nenit 65 në rastin e raportimit financiar. Thënë këtë, KAS-i çmon se vendimi i tij nr. 20, datë 05.04.2021 ka nevojë të rivizitohet në rastin objekt shqyrtimi, me qëllim që të shmangen keqkuptimet, të sqarohet më mirë pozita juridike e partisë udhëheqëse dhe e partisë pjesëmarrëse në koalicion, si dhe të ndahen saktësisht përgjegjësitë.

17. Qëllimi i paragrafit 3 të nenit 65 të Kodit Zgjedhor nuk është përcaktimi i një pozite të privilegjuar të partisë udhëheqëse të koalicionit në raport me partitë pjesëmarrëse të tij. Fjalia “për nevojat e zbatimit të këtij ligji, të gjitha të drejtat dhe detyrimet që ky ligj përcakton për subjektet zgjedhore përmbushen nga partia udhëheqëse e koalicionit” ka qëllim vetëm të përcaktojë partinë udhëheqëse të koalicionit si pikë kontakti dhe interlokutor të KQZ-së, në emër dhe për llogari të koalicionit. Nuk është qëllim i Kodit dhe nuk ka kuptim që të pretendohet se themelimi i koalicionit “asgjëson” partitë pjesëmarrëse të tij (të drejtat e tyre) dhe mban në këmbë vetëm partinë udhëheqëse. Partitë pjesëmarrëse konkurrojnë në zgjedhje, sikurse bën edhe partia udhëheqëse. Të drejtat dhe detyrimet e tyre nuk shuhen.

18. Transferimi i të drejtave dhe detyrimeve nga partitë pjesëmarrëse tek partia udhëheqëse nuk vjen për shkak të fjalisë së dytë të paragrafit 3 të nenit 65, nuk vjen ipso lege, por vjen për shkak të fjalisë së tretë të tij, e cila përcakton se “marrëdhëniet midis partive pjesëtare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ”. Është marrëveshja e koalicionit ajo që bën transferimin e të drejtave dhe detyrimeve tek partia udhëheqëse. Për këtë shkak, marrëveshja e koalicionit duhet të formojë jo vetëm autorizimin për partinë udhëheqëse të koalicionit për përfaqësim, por duhet edhe të vendosë modalitetet, procedurat dhe kufijtë e këtij përfaqësimi, duhet të vendosë përgjegjësitë dhe detyrimet e partisë udhëheqëse ndaj partive pjesëmarrëse në koalicion. Vetëm mbi këtë bazë mund të kryhet ushtrimi “në emër dhe për llogari” i të drejtave dhe përmbushja “në emër dhe për llogari” e detyrimeve nga ana e partisë udhëheqëse të koalicionit.

19. Fjalia e dytë dhe fjalia e tretë e paragrafit 3, të nenit 65 janë të pandashme dhe në unitet me njera tjetrën. Është ky unitet që bën të mundur që të drejtat dhe detyrimet e partive pjesëmarrëse në koalicion të mos shuhen. Ato mund të transferohen tek partia udhëheqëse e koalicionit, por që ky transferim të jetë detyrues për KQZ-në, ai duhet të jetë i shprehur qartë dhe pa ekuivoke në marrëveshjen e koalicionit.

20. Praktika zgjedhore e palëve të interesuara, të cilat në zgjedhjet e datës 25 Prill 2021, kanë qenë të inkuadruara në koalicione është zhvilluar nëpërmjet marrëveshjeve të koalicionit tejet lakonike, të cilat kanë pasqyruar dakordësinë për ekstremitetet e koalicionit (emërtimi, partitë pjesëmarrëse, autorizimi i përfaqësimit), por nuk kanë rregulluar në thelb marrëdhëniet midis partive pjesëmarrëse në koalicion, sidomos sa i takon të drejtave dhe detyrimeve ndaj njeri tjetrit dhe ndaj autoriteteve publike, modaliteteve dhe procedurave të përfaqësimit, raportimin dhe llogaaridhënien etj.

21. Kjo praktikë zgjedhore në lidhjen e marrëveshjeve të koalicionit nuk është në koherencë me përcaktimin e paragrafit 3, të nenit 65 të Kodit Zgjedhor dhe dëmton jo vetëm sjelljen në përputhje me ligjin të partive udhëheqëse dhe të partive pjesëmarrëse në koalicione, por edhe pengon zbatimin harmonik dhe pa konflikte të brendshme të detyrimeve ligjore nga koalicionet, në zgjedhje dhe rreth tyre.

22. KAS-i e sheh ligjërisht të mundur dhe i rekomandon KQZ-së, që në ndihmë të subjekteve zgjedhore dhe në zbatim të kompetencës për unifikimin e praktikës zgjedhore të hartojë udhëzime ndihmëse të detajuara për lëndën që duhet të mbulojnë marrëveshjet e koalicionit, me qëllim që ato të jenë ezauruese dhe në harmoni me paragrafin 3, të nenit 65 të Kodit Zgjedhor, pa ndërhyrë në lirinë e partive politike që të përcaktojnë vetë konturet e bashkëpunimit në koalicion.

23. Duke e parë praktikën zgjedhore të koalicioneve nga këndvështrimi i çështjes objekt shqyrtimi konstatohet lehtë se në akmarrëveshjet e bashkëpunimit midis Komisionerit dhe partive politike që përfitonin financim buxhetor në zgjedhje (shih vendimin e Komisionerit nr. 172, datë 23.03.2021), këto të fundit i pranonin fondet kundrejt zotimit për t’i përdorur ato “në zbatim të të gjitha kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në ligjin nr.10019, datë 28.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” (pika 1, e nenit 3 të akmarrëveshjes tip). Në mënyrë të shprehur ato zotoheshin të respektonin “të gjitha ndalimet dhe kufizimet” që përcaktohen në Kodin Zgjedhor (pika 3, e nenit 3 të aktmarrëveshjes tip), si dhe pranonin “auditimin e fondeve dhe të shpenzimeve të fushatës zgjedhore sipas nenit 92/6 të Kodit Zgjedhor, si dhe monitorimin e aktivitetit gjatë fushatës zgjedhore dhe 4 muaj para datës së zgjedhjeve sipas nenit 92/4 të Kodit Zgjedhor, pavarësisht faktit nëse regjistrohen më vete si subjekt zgjedhor apo në kuadër të një koalicioni zgjedhor” (neni 6 i aktmarrëveshjes tip).

24. Asnjë nga këto zotime nuk ndodhen të transkriptuara në marrëveshjet e koalicionit të lidhura në kuadër të zgjedhjeve të datës 25 Prill 2021. Në vlerësimin e KAS-it, kjo do të thotë se palët nuk kanë pasur qëllim dhe nuk kanë realizuar në fakt transferimin e këtyre detyrimeve/zotimeve nga partitë pjesëmarrëse tek partia udhëheqëse dhe se pretendimi i shprehur në seancë përpara KAS-it se përgjegjësia për raportimit duhet të mbetet me partinë udhëheqëse të koalicionit nuk ka bazë ligjore.

25. Ky pretendim rrëzohet edhe nga analiza kronologjike e ngjarjeve. Partitë politike pjesëtare në koalicione janë sjellë si mbartëse të detyrimit përgjatë gjithë hapave të procesit të raportimit dhe e kanë ngritur pretendimin vetëm në fund të tij, në momentin kur janë mbajtur përgjegjëse për shkelje ose mangësi në raportim.

26. Subjekti zgjedhor “Partia Republikane”, për të cilin Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ për shkak se “nuk ka dorëzuar raportin për 1 (një) kandidat të listave shumemërore” provoi në seancë se kishte bërë përpjekje të qarta dhe të besueshme si kundrejt kandidatit Lodovik Hasani, ashtu dhe kundrejt partisë udhëheqëse të koalicionit, për të vënë kandidatin përpara detyrimit për dorëzimin e raportit. Përpjekjet e subjektit zgjedhor nuk patën rezultat pozitiv.

27. Pika 4 e nenit 90 të Kodit Zgjedhor përcakton se “subjekti zgjedhor mban përgjegjësi sipas këtij ligji për shkeljen e kushteve dhe detyrimeve lidhur me financimin nga ana e kandidatëve të vet, me përjashtim të rastit kur nga hetimi administrativ vërtetohet se subjekti zgjedhor nuk ka pasur mundësi ose, me gjithë përpjekjet e bëra, nuk ka arritur dot të parandalojë ose korrigjojë shkeljen e kryer nga kandidati. Në këtë rast përgjegjësia administrative dhe penalitetet për shkeljen i ngarkohen kandidatit”.

28. KAS-i e gjen të provuar verifikimin e rastit përjashtimor që parashikon pika 4, e nenit 90 të KZ në rastin e Partisë Republikane dhe vendosi t’ia ngarkojë përgjegjësinë administrative kandidatit Lodovik Hasani. KAS-i çmon se sanksioni ndaj kandidatit duhet të mbahet në minimumin ligjor, për të prioritizuar qëllimin edukativ të masës administrative në këtë rast.

29. Subjektet zgjedhore Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Lëvizja e Legalietit, Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, Nisma Thurje, Bindja Demokratike, Partia Socialdemokrate dhe Balli Kombëtar rezulton e provuar se kanë pasur mungesa në raportimin e kandidatëve të tyre, të cilat shkojnë, sipas rastit, nga 1 (një), deri në 153 (njëqind e pesëdhjetë e tre) kandidatë. Komisioneri ka kërkuar për këto parti vendosjen e sanksionit. KAS-i çmon se kërkesa e Komisionerit duhet të pranohet dhe sanksioni të mbahet për të gjitha subjektet në minimumin ligjor (pa proporcionalizuar masën), për të prioritizuar qëllimin edukativ të masave administrative në këtë rast.

30. Komisioneri ka konstatuar se Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar kanë deklaruar shpenzime, për të cilat në një masë të caktuar nuk disponojnë dokumentacionin justifikues. Për këtë arsye Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ. KAS-i çmon se kërkesa e Komisionerit duhet të pranohet dhe sanksioni të mbahet për këto subjekte në minimumin ligjor (pa proporcionalizuar masën), për të prioritizuar qëllimin edukativ të masave administrative në këtë rast.

31. Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ ndaj subjektit zgjedhor Partia Demokratike për mosbashkëpunim në procesin e mbikëqyrjes financiare. KAS-i çmon se kërkesa e Komisionerit duhet të pranohet dhe sanksioni të mbahet për këtë subjekt në minimumin ligjor, për të prioritizuar qëllimin edukativ të masës administrative në këtë rast.

32. Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ ndaj subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë për tejkalim të kufirit maksimal të shpenzimeve. KAS-i çmon se kërkesa e Komisionerit duhet të pranohet dhe ndaj subjektit të vendoset sanksioni në masën 5 (pesë) milion lekë, për shkak se është vlerë më e lartë se sa diferenca midis vlerës së shpenzuar dhe vlerës maksimale të lejuar.
33. Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ ndaj kandidatit Fitimtar Lala, të subjektit zgjedhor “Lëvizja e Re”, për shkak se ka pranuar dhurime në rrugë jobankare në vlera më të larta se maksimumi ligjor. KAS-i çmon se kërkesa e Komisionerit duhet të pranohet dhe ndaj kandidatit të vendoset sanksioni në masën 195.000 (njëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë) lekë, e barabartë me shumën e dhuruar.

34. Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ ndaj subjektit zgjedhor Balli Kombëtar Demokrat, për shkak se raportin financiar nuk e ka dorëzuar sipas formatit të standardizuar. Nga ana e administratës së KQZ-së nuk u bënë prezent shkelje të tjera për këtë subjekt lidhur me raportimin, përveç anës formale. KAS-i mori në shqyrtim raportin e dorëzuar nga subjekti dhe konstatoi se, pavarësish nga formati i paraqitur, raporti pasqyron të ardhura dhe shpenzime në shifrat 0 (zero) lekë, sikurse nuk përmban asnjë të dhënë për kandidatët e subjektit. Fushata pa të ardhura dhe pa shpenzime e një subjekti zgjedhor është de facto e pamundur, për pasojë, një raportim i tillë duhet të jetë i papranueshëm për KQZ-në.

Edhe në rast se do ishte i vërtetë një pretendim i tillë, kjo do të nënkuptonte pjesëmarrje fiktive në zgjedhje për subjektin zgjedhor. Pjesëmarrja fiktive në zgjedhje është në kundërshtim të hapur me qëllimin e zgjedhjeve dhe parimet mbi të cilat zhvillohen ato, prandaj KAS-i nuk mund ta legjitimojë këtë praktikë. Nëse një parti politike zgjedh me vetëdije të konkurrojë në zgjedhje, atëherë ajo duhet të pranojë dhe respektojë të gjitha kushtet dhe kriteret e vendosura nga Kodi për konkurrimin e partive politike, përndryshe i takon të përballet me pasojat që Kodi ka parashikuar për kundravajtjen. Për këtë arsye, KAS-i çmon se kërkesa e Komisionerit duhet të pranohet, por për shkaqet e përshkruara më sipër, ndërsa sanksioni, gjithsesi, të mbahet në minimumin ligjor, për të prioritizuar qëllimin edukativ të masave administrative në këtë rast.

PËR KËTO ARSYE:
Mbështetur në nenet 21, pika 1, shkronja ‘dh’, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KAS, në seancën e datës 25.01.2023

VENDOSI:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Komisionerit për vendosjen e sanksioneve administrative ndaj subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për shkelje lidhur me raportimin financiar.

2. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për subjektet zgjedhore:

 Partia Socialiste;
 Partia Demokratike;
 Lëvizja për Zhvillim Kombëtar;
 Lëvizja e Legalitetit;
 Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë;
 Nisma Thurje;
 Bindja Demokratike;
 Partia Socialdemokrate;
 Balli Kombëtar;
 Balli Kombëtar Demokrat.

3. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3 dhe në zbatim të pikës 4, të nenit 90 të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për kandidatin e subjektit zgjedhor PD-Aleanca për Ndryshim, z. Lodovik Hasani

4. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 1, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për subjektet zgjedhore:

 Partia Demokristiane e Shqipërisë;
 Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

5. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 8, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për subjektin zgjedhor Partia Demokratike.

6. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 5.000.000 (pesë milion) lekë, sipas nenit 173, pika 9, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë.

7. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 195.000 (njëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 5, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për kandidatin e subjektit zgjedhor “Lëvizja e Re”, z. Fitimtar Lala.

8. Rrëzimin e kërkesës së Komisionerit dhe pushimin e procedimit administrativ për subjektin zgjedhor Partia Republikane.

9. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

10. Kundër këtij vendimi mund tё bёhet ankim nё Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Administrativ, Tiranë brenda 30 ditëve nga shpallja e tij.

Koli BELE – Relator
Elvin LAKO – Anëtar
Elvis ÇEFA – Anëtar
Ilirjan RUSMALI – Anëtar
Ledio BRAHO – Anëtar

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb