Kosova e nisi fushatën kualifikuese të Euro 2024 para pak ditësh ndaj Izraelit, me një barazim 1-1 që mund të konsiderohet pozitiv. Ndeshja e dytë luhet nesër në “Fadil Vokrri”, teksa “Dardanët” presin një rival modest si Andorra. Trajneri i Kosovës, Alain Giresse i është përgjigur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e zakonshme për shtyp.

Situata në skuadër: “Vijmë nga një rezultat pozitiv dhe do tentojmë që ta mbajmë këtë ecuri pozitive edhe ndaj Andorës.”

Rezultati me Izraelin: “Rezultatin me Izraelin mund ta quaj pozitiv edhe pse mund të kishim marrë edhe fitore. Ekipi bëri një paraqitje të mirë.”

Formacioni: “Formacionin nuk mund ta tregoj, pasi nuk dua që kundërshtari ta marrë vesh kurrsesi sesi do luajmë. Nuk do ta zbuloj kush do të luajë, madje as lojtarët nuk e dinë.”

Problemet e skuadrës së Kosovës: “Pjesën e parë e kemi nisur me vetëm një mesfushor qendror më konkretisht me Dresevic dhe kjo ka prishur pak punë, ndryshe nga pjesa e dytë, kur kemi pasur dy mesfushor qendrorë.”

Andora, kundërshtar i dobët: “Nuk duhet neglizhuar Andora dhe nuk duhet konsideruar e dobët. Ka pak rëndësi kë kemi përballë, i rëndësishëm është kompeticioni në të cilin luajmë, ndaj duhet treguar seriozitet.”

Situata te Federata e Kosovës: “Nuk na intereson pjesa politike, ne përgatitim ndeshjen dhe kjo është ajo që na intereson ne, kjo është situata.”

Mesfusha: “Kemi pasur vështirësi në mesfushë dhe mendoj se kemi vuajtur, ndoshta me Andorën do e fillojmë ndryshe.”

A do fitoni, nëse jo cilat janë pasojat? “Cila do të jenë pasojat nëse nuk fitojmë nuk mund ta di, por e sigurt është që në e nisim këtë sfidë për fitore. Të gjithë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij takim.”

Paqarada: “Jam i lumtur që Paqarada është kthyer në Kombëtare ashtu si edhe ai vetë, jam i lumtur me performancën e tij dhe me shpirtin luftarak që tregon në fushën e lojës.”

Lojtarë të rinj për mesfushën? “Jo vetëm sa i përket mesfushës në përgjithësi ne po punojmë për të sjellë lojtarë të rinj, pastaj mos të harrojmë se ka lojtarë me dy shtetësi që hezitojnë.” – tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb