TIRANE – Edhe këtë vit shkollor nxënësit shqiptarë në Maqedoni do të mësojnë nga tekste shkollore me gabime të shumta si në përmbajtje, ashtu edhe ortografike. Gabimet më të theksuara janë në librat e historisë, gjeografisë, shoqërisë, artit, por edhe në tekste të tjera.

Në librin e Gjeografisë gabimet vërehen që në kopertinën e librit, ku emri i lëndës është shkruar gabimisht. Edhe përkthimet e teksteve janë pa një strukturë të mirë gramatikore, ndërsa, janë të pranishme edhe shtrembërimet e ngjarjeve të rëndësishme historike. Në librin e historisë Shën Jan Kukuzeli, i cili në tekstet e historisë shqiptare njihet si një murg ortodoks nga Durrësi, himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine, tani ai përshkruhet si Jovan Kukuzeli, krijues i njohur i muzikës maqedonase.

Edhe shumë gabime të tjera, të evidentuara më parë, vazhdojnë të jenë të pranishme.

Nga Ministria e Arsimit përsërisin qëndrime të dëgjuara vite me radhë, për ndryshime ligjore me qëllim hartimin e teksteve të reja.

“Si ministër i Arsimit kam ndërmarrë masa dhe menjëherë kam reaguar duke formuar një grup ekspertësh të cilët do të merren me analizat dhe përpjekjet që këto tekste shkollore ti kemi në fund pas analizës së tyre një model në të cilin këto gabimet nuk do të përsëriten edhe në të ardhmen”, tha ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu.

Premtime të tilla para gati dy viteve kishte dhënë edhe paraardhësi i tij Abdilaqim Ademi. “Ne jemi në fazën e ndryshimit të ligjit me qëllim që të krijojmë një bazë juridike të mirë dhe të gjegjshme zgjidhje sistemore”, pati deklaruar Abdilaqim Ademi, ish ministër i Arsimit.
Por ndërsa ministrat vazhdojnë të japin premtime gabimet në tekstet shkollore vazhdojnë të akumulohen.

Profesori Salajdin Salihu thotë se gjendja është alarmante pasi duke parë gabimet e shumta drejtshkrimore dhe përmbajtësore, sipas tij, nuk mund të themi se kemi shkolla shqipe, por shkolla të përkthyera.

“Të gjithë autorët duhet të jenë shqiptarë dhe t’i kenë parasysh specifikat e shqiptarëve këtu në Maqedoni sepse në fund të fundit nëse do t’i kemi këto tekste , ata do kenë pasoja dhe në të ardhmen si te fëmijët shqiptarë ashtu dhe te ata maqedonas dhe do të krijohen stereotipe. Për shembull në tekstet e historisë thuhet se shqiptarët kanë bërë krime, shqiptarët janë të ardhur në shekullin 18-17 paramendoni ai nxënës maqedonas kur do i mëson këto pallavra si do të reagon kundrejt shqiptarëve”, u shpreh profesori universitar, Salajdin Salihu.

Gabime përmbajtjesore të cilat vazhdojnë prej vitesh me radhë, fatkeqësisht shpeshherë nuk kanë as autorët e përditësuar. Ata ose janë në pension ose kanë ndërruar jetë, ndërkohë që në këto libra mbajnë funksionet bashkëautor ose lektor./Alsat.M/
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: