Pesëmbëdhjetë vjet ma parë kështu e pata filluar një shkrim: “Unë ndihem i lidhur me pranga, përderisa gazetarët Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka mbahen në burg. I takon pjesës së shëndoshë të shtetit t’ia bëjë zap pjesës tjetër të tij, asaj pjesë që ia çmojmë punët e mira, por që here pas here reflekton shpirtin e gardianit. Dhembja solidare kundër çdo padrejtësie, kjo është fuqia e vërtetë që ia hedh trutë në erë shkrimtarit.” (Gazeta Drita, 13 shkurt 1994)

Natyrisht atëherë ca ma tepër, por edhe sot e kësaj dite media vuan nga simptoma problematike. E meta kryesore më duket humbja e aftësisë për t’u vetëshëruar, duke u vetëqeverisur. E kjo do të thotë se mungon Kodi i saj i Etikës. Qysh nga mesi i viteve ‘90-të, Piro Misha me pati dhënë si redaktor librin e një autori të huaj, të respektuar ndërkombëtarisht. E aty zinte shumë vend Kodi i Etikës. Përse kjo vonesë në formulim e zbatim?!

Sidoqoftë, për hir të së vërtetës, ligji për mediat erdhi duke u liberalizuar, aq sa parlamenti i maxhorancës së atëhershme e hoqi edhe nenin për shpifje. Tekefundit ishte pa vend ajo vjegë, meqë ashtu si çdo qytetar, edhe gazetarët i nënshtrohen barabar si Kodit Civil, si atij Penal.

Në këto rrethana, nuk mund të hesht as tani, kur jemi në vigjiljen e miratimit të një ligji kërcënues, i cili duke u mbruajtur me elemente të censurës, kufizon në mënyrë të frikshme Lirinë e Medias dhe fjalën e lirë, si një nga të Drejtat e Njeriut.

Por si mund të shprehem sot? Unë ndihem në kundërshtim me Parlamentin tonë monist, përderisa synon një ligj autokratik që sjell dënime të legalizuara. Sepse ka hekura me kllapa për duart, por ka edhe tel hekuri që, në mënyrë rrufjane, u lidh gjuhen punëtorëve të medias. E përse u dashka të mbeten pa gojë?! Apo që të mos dëgjohen klithmat, sa herë vihen në mbrojtje të interesit publik. E pra është e turpshme kjo njollë e ky kthim prapa për vendin, i cili kryeson OSBE-në!

Sa për mua, ndoshta s’më mbetet tjetër, veçse dhembja solidare që ia hedh trutë në erë shkrimtarit. Me këte rast, ju kujtoj deputetëve se goja e lidhur është shenjë e vdekjes. Prandaj mblidheni mendjen, zotërinj të vegjël, mos beni hajgare.

Vendimi suprem i njihet vetëm nje Supremi, atij te plotfuqishmit që e quajmë Zot.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: