Përdoruesit e “Pixel”, së shpejti, do të jenë në gjendje të masin ritmin e frymëmarrjes dhe rrahjet e zemrës përmes kamerës së smartphone-it të tyre, njoftoi sot gjiganti i teknologjisë “Google”.

Pa nevojën për të patur një pajisje mjekësore ose për të qëndruar me orë të lidhur, përdoruesit do të kenë qasje në këtë informacion nëpërmjet aplikacionit të shëndetit “Google Fit”, nga marsi, falë një manovre po aq të thjeshtë sa të bësh një selfie.

“Ne duam të zbulojmë potencialin e pajisjeve të lidhura që përdorim çdo ditë”, shpjegoi Shwetak Patel, një drejtor i sektorit të shëndetësisë të grupit gjatë një konference shtypi.

“Me inteligjencën artificiale, aftësitë e këtyre pajisjeve shumëfishohen dhe më i përhapuri është smartphone, me të gjithë ndjesorët e tij”, vazhdoi ai.

Inxhinierët e “Google” kanë zhvilluar një teknikë të quajtur “të nxënët automatik”.

Përdoruesit thjesht do të duhet të hapin aplikacionin e tyre “Google Fit” dhe kamera do të zbulojë lëvizje të lehta të ngritjes dhe uljes së gjoksit, për të matur ritmin e frymëmarrjes.

Për rrahjet e zemrës, ata përdorën ndryshimet e padukshme të ngjyrës së lëkurës, që ndodhin kur gjaku i oksigjenuar rrjedh nga zemra në pjesën tjetër të trupit.

Përdoruesit do të vendosin majat e gishtave në lentet e telefonit të tyre, blici do të aktivizohet dhe aplikacioni do të japë verdiktin e tij për numrin e rrahjeve të zemrës në minutë.

Këto mjete të reja pritet të arrijnë në telefonat Android (sistemi operativ celular i “Google”) në muajt e ardhshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: