Detaje të reja vijojnë të dalin në dritë nga vrasja mafioze e ish-policit 26-vjeçar Santiago Malko, dy ditë më parë në kryeqytet. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se gjatë kontrollit të imtësishëm në mjetin e 26-vjeçarit, policia nuk ka gjetur asnjë send të paligjshëm.

Sipas gazetares Bezat, një provë mjaft e vyer për policinë janë cilësuar dy aparatet celularë të viktimës, të cilët janë sekuestruar dhe po zbërthehen për të zbuluar komunikimet e tij të fundit, për të parë nëse japin ndonjë indicie për krimin.

Gjithashtu, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të lavazhit afër vendit të krimit, të cilat ndihmuan në zbardhjen e plotë të dinamikës së krimit mafioz.

Dinamika e ngjarjes:
Automjeti tip “BMW X5” ka qenë duke lëvizur në rrugën “Xhanfize Keko”, në drejtim të zonës së Freskut. Ai është ndjekur gjatë gjithë rrugës nga një “Benz C Class”, me të cilin lëviznin autorët e vrasjes.

Kur ka qenë para lavazhit, për arsye ende të paqarta për policinë, mjeti i 26-vjeçarit Malko ka frenuar. Në ato momente, atentatorët kanë parakaluar dhe kur kanë qenë paralel kanë qëlluar në drejtim të të riut. Ai ka tentuar të devijojë, duke shtuar shpejtësinë, por nuk ka mundur, pasi ka humbur jetën nga breshëria e plumbave dhe mjeti i tij është përplasur me një mur rrethues.

Dyshohet se në momentin kur “BMW X5” ka ndaluar, 26-vjeçari ka marrë një telefonatë. Ndërkohë, pak minuta pas ngjarjes së rëndë, policia gjeti në fshatin Ferras një mjet të djegur tip “Benz C Class”, i cili iu përkiste autorëve. Ai ishte me targa false dhe i vjedhur në Qarkun e Lezhës një vit më parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb