Ish-kreu i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Florenc Hoxha, u plagos pas një telefonate me një grua. Gjykata e Tiranës ka dënuar me tre vite burg autorin Indrit Deliu, 28 vjeç, i cili u akuzua për vrasje me paramendim.

Gazeta “Shqip” ka siguruar vendimin e gjykatës ku thuhet se Deliu, ka lidhje gjaku me të dëmtuarin Florenc Hoxha, i cili ka qenë kryeinspektor i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës dhe ka pasur në punë Indrit Deliun, por jo në mënyrë të ligjëruar. Rreth këtij argumenti nuk mbetet jashtë vëmendjes se gjykatës “marrëdhënia e punësimit” midis palëve e deklaruar nga Florenc Hoxha. Pas ngjarjes, Hoxha deklaroi më 17 nëntor 2014 se “para 5-6 muajve, Indritin e kam marrë në punë, e kam thirrur disa herë dhe i kam tërhequr vëmendje se me imazhin e tij dëmtonte punën time. I thashë, jam i detyruar të të largoj nga puna. Unë nuk e kam pasur punonjës zyrtar. Indritin e paguaja vetë” ka thënë Hoxha.

Sipas prokurorisë, në datën 13 nëntor 2014, i dëmtuari Florenc Hoxha, në orët e mbrëmjes, i ka bërë një thirrje telefonike bashkëshortes së të pandehurit, shtetases O.Deliu, e cila nuk i është përgjigjur, por që telefonin e saj ia ka dhënë bashkëshortit (Indrit Deliu). Ky i fundit i ka bërë thirrje të njëjtit numër telefoni, për të mësuar se kush i telefononte bashkëshortes së tij. Indrit Deliut, abonenti i është përgjigjur dhe ai ka njohur zërin e Florenc Hoxhës, i cili më pas ia ka mbyllur telefonin. Deliu ka bërë disa thirrje telefonike, por personi që mbante këtë numër telefoni nuk i është përgjigjur.

Sipas gjykatës, i pandehuri nëpërmjet të afërmve të tij e ka njoftuar të dëmtuarin Florenc Hoxha të hapë telefonin dhe të sqaronte me të shkakun e telefonatës që ai i kishte bërë bashkëshortes së tij. Deliu, në këto momente, ka marrë kunatin e tij dhe ka filluar të gjurmojë Hoxhën. Atë ditë, rreth orës 21.00, Deliu pasi është vënë në dijeni se i dëmtuari Florenc Hoxha ndodhej në një lokal në Fushë-Farkë, ka shkuar në atë lokal. Deliu është futur nga dera e pasme e kuzhinës së lokalit dhe ka marrë një thikë që e ka gjetur aty mbi tavolinë dhe prej andej ka kaluar në lokal. Sipas akuzës, i pandehuri sapo ka parë Florenc Hoxhën, i cili ka qenë ulur në një karrige, i është drejtuar atij duke e goditur me thikë, duke i shkaktuar plagë. I dëmtuari nëpërmjet një karrigeje që mbante në dorë si edhe nëpërmjet ndihmës së disa personave të tjerë, kanë mundur të ndërpresin sulmin e Deliut, i cili më pas është larguar. Sipas aktit mjekoligjor, rezulton se në trupin e të dëmtuarit Florenc Hoxha, janë shkaktuar plagë prerëse-shpuese në supin e majtë, një e tillë në parakrahun e majtë si edhe një tjetër në anën e majtë të barkut, të cilat janë shkaktuar me mjet shpues prerës siç mund të jetë një thikë. Këto plagë hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të rënda, të cilat kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit të tyre.

Në gjykatë, mbrojtja e të pandehurit, në konkluzionet përfundimtare, i kërkoi trupit gjykues pretendimin për ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës penale në ngarkim të Indrit Deliut, nga ajo e “vrasjes me paramendim” në “plagosje e lehtë me dashje” apo “plagosje e rëndë e kryer në kushtet e mbrojtjes së nevojshme”. Mbrojtja solli në vëmendje të gjykatës faktin se motivet që kanë nxitur të pandehurin Indrit Deliu pasqyrohen në përpjekjet e tij për të sqaruar konfliktin fillimisht nëpërmjet telefonit, duke i dërguar të dëmtuarit njoftim për ta mundësuar bisedën me të dhe për shkak të këtij refuzimi, ai ka bërë përpjekje për ta takuar dhe për të sqaruar konfliktin midis tyre.

Gjykata thotë se akuza që rëndon ndaj Deliut (vrasja me paramendim), nuk është rezultat i një interpretimi të drejtë të provave si edhe i harmonizimit midis tyre. Indrit Deliu, thotë gjykata, jo vetëm që në mënyrë të përsëritur dhe këmbëngulëse ashtu siç pranon edhe vetë organi i akuzës, ka tentuar lidhjen telefonike me të dëmtuarin i cili i telefonoi në orët e vona të mbrëmjes bashkëshortes së tij, por madje ai nuk ka qenë as i përgatitur për kryerjen e vrasjes duke mos gjetur as mjetin e përshtatshëm që veprimet të ishin të suksesshme dhe të sillnin pasojën e dëshiruar. I pandehuri ka shkuar në lokalin ku ndodhej i dëmtuari, pa armë zjarri apo të ftohtë, madje pa asnjë mjet, ka hyrë nga dera e kuzhinës nga mbrapa lokalit me qëllim që të mund ta takonte, pasi i pandehuri i shmangej kontaktit me të.

Gjykata thotë se, nëse qëllimi i Deliut do të ishte vrasja e Hoxhës, ai nuk mund të pajisej me një thikë, të cilën jo vetëm e ka gjetur rastësisht në kuzhinë, e cila rezulton që nuk plotëson as parametrat e armës së ftohtë, në kushtet kur në dijeninë e të pandehurit ishte fakti se i dëmtuari për shkak të detyrës, ishte i pajisur dhe mbante me vete armë zjarri luftarake-pistoletë. Me këtë arsyetim, gjykata thotë se Deliu duhet të akuzohet për plagosje të rëndë me dashje. Në fund, gjykata e dënoi të pandehurin me tre vite burg, duke marrë si rrethanë lehtësuese gjendjen e tij ekonomike, sociale dhe familjare, pendimin e tij të thellë, si dhe faktin e kryerjes së veprës penale edhe nën ndikimin e veprimeve të të dëmtuarit që kanë të bëjnë me familjen, nderin dhe dinjitetin e saj.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: