Dita e 96-të e luftës në Ukrainë shënon ofensiva të reja ruse, por edhe një pikë kthese të mundshme në frontin diplomatik. Në fakt, Turqia është e gatshme të “marrë pjesë në një mekanizëm të mundshëm vëzhgimi në Ukrainë nëse Moska dhe Kievi arrijnë një marrëveshje” për këtë çështje.

Kështu ka thënë – siç raporton TASS – Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pas një bisede telefonike me Vladimir Putin. Erdogan siguroi gjithashtu se ishte i disponueshëm për të organizuar dhe pritur një takim midis Rusisë, Ukrainës dhe OKB-së në Stamboll.

Mesazhi i Erdoganit

“Paqja duhet arritur sa më shpejt”, i ka thënë Erdogan, presidentit rus Vladimir Putin duke nënvizuar në të njëjtën kohë nevojën për të ndërtuar një mekanizëm besimi mes palëve.

“Ka nevojë për masa për të minimizuar efektet negative të luftës dhe për të rivendosur një terren për paqe”, i tha presidenti turk homologut të tij rus. Kjo u raportua nga një shënim i lëshuar nga zyra e presidencës së Ankarasë.

Erdogan-Putin, fokusi në lundrimin e sigurt në Detin Azov dhe Detin e Zi

Putin dhe Erdogan, sipas Kremlinit, “diskutuan situatën në Ukrainë” dhe “theksi ishte në sigurimin e lundrimit të sigurt në Detin e Zi dhe Azov, duke eliminuar kërcënimin në ujërat e tyre”.

Putin: Gati për të eksportuar produkte bujqësore nëse hiqen sanksionet

“Në dritën e problemeve në tregun botëror të ushqimit, që ndodhën për shkak të politikës së pakujdesshme financiare dhe ekonomike të Perëndimit, Rusia mund të eksportojë sasi të konsiderueshme të plehrave dhe produkteve bujqësore nëse hiqen sanksionet anti-ruse”.

Kështu i tha presidenti rus Vladimir Putin liderit turk Rexhep Tajip Erdogan në bisedën e sotme telefonike, siç raporton Kremlini, cituar nga TASS.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: