Një telefonatë private në telefonin personal të nënës së Renit (Renato Hamza), këngëtarit të muzikës tallava të zhdukur në muajin qershor të vitit 2014, ka zgjuar sërish shpresat në familje.

Silvana, nëna e tij ende me lot në sy për zhdukjen misterioze të djalit të saj, ka njoftuar policinë, pasi një vajzë e prezantuar si bashkëjetuesja e të birit, i kishte telefonuar asaj duke i thënë se i biri është gjallë, në Angli.
Ajo dyshon se telefonuesja është ish ­e dashura e Renit, R. Daullxhiu, e cila mund të ketë gisht në zhdukjen e të birit.
Znj. Silvana, keni mësuar ndonjë të re për vendndodhjen e Renit?
Disa ditë më parë një telefonatë anonime më rizgjoi shpresën se Reni është gjallë. Një numër privat më telefonoi dhe një zë vajze dhe më tha se bashkëjetonte me Renin dhe se ishte edhe shtatzënë. Ajo më pyeti se nëse doja të flisja me Renin. I thashë se dua të flas me të, dhe në atë moment ajo më vinte këngët e tij.

Çfarë kërkonte në veçanti gjatë kësaj telefonate?
Më thoshte që të vinte në shtëpinë time që ta shohë nusja e Renit që është shtatzënë. Madje më pyeti nëse unë e pranoja si nuse. I thashë që nëse vjen me Renin dhe ai të do, të pranoj. Vetëm dua të shoh djalin tim, por do të bëj çfarë të dojë ai.
reni

Po më pas, si vijoi telefonata?
Kur i thashë që dua të flas me Renin, ajo më tha që ai është në Angli për momentin. Këtu dyshova se kjo telefonatë e bërë me qëllim, ishte nga R.D., ish­ e dashura e tij. E njoha nga zëri. Sa herë hapet çështja e Renit, po kjo vajzë më del përpara mendjes dhe më shqetëson në telefon.

Po pse dyshoni tek ajo?
Unë nuk e doja këtë lidhje. Kur Reni kishte lidhje me të para se të zhdukej, ajo më kishte thënë që nuk do ta shohësh më djalin me sy.
Madje rreth një muaj më parë ajo mori djalin në telefon dhe i tha se e ke radhën ti tani. Si mund të mos dyshoj me këto fakte? Sapo mbarova telefonatën, shkova në Polici. Një ditë më pas më thanë se kishin shkuar në banesën e saj në Tiranë, por nuk ishte.

A dyshoni se Reni mund të ketë vdekur?
Kam dyshime për kufomën që u gjet në Babje të Librazhdit një vit më parë. Kërkoj nga shteti që t’i bëhet AND­-ja pasi kjo ish ­e dashura në kohën që është zhdukur Reni, deklaroi se ishte në Pogradec. Kam bindjen se e kanë vrarë dhe e kanë hedhur atje në ferrat e Babjes. Akoma nuk kemi marrë një përgjigje të AND-­së për atë kufomë, pasi na thanë që ai nuk është Reni, duke u bazuar te mosha e kufomës.
Megjithatë, zemra e nënës e pret, kam ndjesinë se ai është gjallë, dhe thuajse ditën e kaloj në derën e shtëpisë me shpresën se do të shoh Renin që vjen. Prandaj dua që çështja të hetohet nga Krimet e Rënda.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb