TIRANË- Ka përfunduar mirë aventura e rrezikshme e një gruaje që përfundoi në qeli vetëm për të shpëtuar martesën e saj. 29-vjeçarja Dalina Azuni, e cila u arrestua më 22 tetor për kallëzim të rremë është liruar sot me urdhër të Prokurorisë. Si në telenovela, gruaja e re u lidh në karrige dhe njoftoi policinë se e kishin grabitur vetëm për të tërhequr vëmendjen e burrit pasi kishin mosmarrëveshje dhe ftohje me njeri-tjetrin.

Ngjarja e pazakontë ndodhi në periferi të Tiranës, në Ndroq ku e reja njoftoi policinë se i kishin vjedhur 65 mijë lekë të reja të cilat i kishte fshehur në shtëpi.

NGJARJA
Policia sqaroi se më datë 22.02.2016, rreth orës 04:40, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një njoftim se në fshatin Pinet, Ndroq, në banesën e shtetasit I. Azuni dyshohet se ka hyrë një person për të vjedhur, i cili duke përfituar se i zoti i banesës ishte larguar ka lidhur të shoqen shtetasen Dalina Azuni dhe më pas ka marrë në banesë shumën prej 65.000 lekësh.

Menjëherë në adresën e dhënë janë dërguar shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6, të cilët kanë filluar kontrollin e territorit dhe mbledhjen e informacioneve për autorët e mundshëm të kësaj ngjarje.

Nga informacionet e marra është mësuar se bashkëshortët Azuni, prej disa kohësh nuk kishin një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin.

Duke qenë përpara këtyre fakteve Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr 6, kanë filluar hetimin në drejtim të një kallëzimi të rremë dhe nga ku kanë arritur të faktojnë se:

Pas largimit të bashkëshortit të saj, shtetasja Dalina Azuni, dyshohet t’i ketë fshehur në një nga dhomat e tjera shumën e lekëve (të cilat u gjetën nga kontrolli i ushtruar nga Specialistet e Policisë pas dyshimeve), më pas ka hapur dritaren e banesës dhe dyshohet se ka lajmëruar familjarët që dikush kishte hyrë në banesë.

Kur kanë shkuar familjarët e kanë konstatuar të lidhur në banesë këtë shtetase.

Nga intervistimi paraprak, shtetësja Dalina Azuni, pranon se i ka bërë këto veprime vetëm për të tërhequr vëmendjen e të shoqit pasi kishte vënë re që kohët e fundit nuk kishin komunikim dhe kishte mosmarrëveshje mes tyre.

Para këtyre fakteve Specialistët e Komisariatit të Policisë nr 6, kanë bërë arrestimin e 29-vjeçares me akuzën për “Kallëzim të rremë” dhe “Njoftim të rremë në organet e rendit publik” por Prokuroria ka vendosur sot lirimin e saj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: