Televizioni publik i Gjermanisë, ARD, ka publikuar një reportazh për dy nga nëntë fëmijët kosovarë që sot mbajnë emrin e Toni Blerit, ish-kryeministrit britanik. Aty shpjegohet se si për shqiptarët e Kosovës, ish-kryeministri britanik Tony Blair, ka rëndësi të madhe. Madje edhe vetë Tonibler Mulliqi dhe Tonibler Thaçi, thonë se kur janë bërë nga 5 vjeç, e kanë ditur rëndësinë e emrit që kanë.

Tonibler Thaçi është 16-vjeçar dhe jeton me familjen e tij në Obiliq. Është nxënës i shkollës së mesme dhe talent i futbollit. Babai i ka vdekur para disa vitesh dhe ai me familjen jetojnë nga ndihma sociale. Tonibler Thaçi luan futboll në ekipin e seniorëve të KEK­-ut në Ligën e Parë të Kosovës. Ëndërr e tij është të bëhet futbollist i famshëm dhe të luajë në arenën ndërkombëtare.

Nëna e tij ishte shtatzënë gjatë luftës në Kosovë dhe burri i saj i kishte thënë që nëse lindte djalë do t’ia vinin emrin Tonibler, për nder të kryeministrit britanik që kishte bërë shumë për lirinë e Kosovës.

Tonibler Mulliqi është 14-vjeçar dhe jeton në fshatin Obri. Është fëmija më i vogël i familjes dhe i dashur për të gjithë. Po ashtu, Tonibler Mulliqi luan futboll për ekipin e Ferronikelit, në kategorinë e të rinjve.

Xhaxhai i babait të tij, Isuf Mulliqi, është kumbara i emrit të tij. Isufi që nga lufta në portofolin e tij mban një foto të përbashkët të Bill Clintonit dhe të Toni Blerit, me një shënim të vogël mbrapa ku thuhet: Këta dy njerëz na shpëtuan nga lufta e vitit 1999. Ëndërr edhe e Tonibler Mulliqit është të jetojë jashtë Kosovës, ku do të studionte dhe do të luante futboll. Në vitin 2010, në qendër të Prishtinë, ish-­kryeministri britanik i emocionuar kishte takuar të nëntë adashët e tij shqiptarë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb