Mediat e huaja e kanë vendosur sërish Kosovën nën lupën e një vendi që po prodhon xhihadistë. Këtë herë televizioni italian ‘7’ dhe emisioni “Piazzapulita” nëpërmjet një reportazhi dhjetëminutësh, e cilësojnë Kosovën si një shtet i krijuar nga amerikanët, në të cilin nga paslufta, janë ndërtuar më shumë xhami sesa fabrika.

Televizioni e përshkruan vendin si një prej shteteve ku në raport me popullsinë, ka numër të madh të atyre që kanë shkuar në Siri për të luftuar.

Në emisionin “Piazzapulita” të transmetuar me 7 janar 2016 në kanalin ‘7’, gazetarja italiane Valentina Petrini, në hulumtimin e përmbledhur në  dhjetë minuta mbi këtë temë, takon dhe bisedon me disa familje të tjera, të afërmit e të cilëve kanë shkuar  për t’iu bashkuar ISIS-it,  në luftën që ata e konsiderojnë të shenjtë.

Gazetarja ka vizituar edhe familje të tjera, si ajo e Sinan Mujit nga Bresalci i Gjilanit, i vrarë në shtatorin e vitit 2014, për të mësuar më shumë për arsyen që i shtynë këta persona, kryesisht të rinj, që të marrin këtë rrugë, apo të tjera në rrethinën e Kaçanikut, raporton Lajmi.net.

Por në asnjërin rast, ajo nuk gjen përgjigjen, ndonëse si më e përafërta konsiderohet arsyeja   ekonomike, pasi vendi vuan nga një shkallë e lartë e papunësisë.

Në reportazh përmendet edhe terroristi nga Kosova, Lavdërim Muhaxheri nga Kaçaniku, i cili shfaqet teksa bën thirrje për xhihad në gjuhën shqipe dhe djeg pasaportën e shtetit të Kosovës.

Në reportazh theksohet se ky vend i shndërruar në shtet, falë ndihmës amerikane,  nga paslufta ka  ndërtuar më shumë xhami sesa fabrika, ndërkohë që  potencohet edhe përpjekja dhe angazhimi i organeve policore kosovare në luftë kundër terrorizimit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: