Dy televizione të kontrolluara nga Kremlini zbuluan gabimisht planin e fshehtë për armatime bërthamore ruse të quajtur “Status-6”

Gjatë edicionit të lajmeve dy televizionet NTV dhe “Channel One” transmetuan një dokumentar ushtarak që përmbante dokumente konfidenciale, projekte dhe plane të një sistemi armatimi, të dizajnuar nga Rubin, një kompani për ndërtimin e nëndetëse me bazë në Shën Petërburg.

Pamjet tregojnë për raketa që do të qëllohen nga nëndetëset dhe që do të krijonin zona të tëra radioaktive dhe të helmuara, duke i bërë të papërdorshme për aktivitete ushtarake dhe ekonomike për një kohë shumë të gjatë.

Çdo gjë faktohet qartë në dokumentet e fokusuar në filmime për pak sekonda. Këto pamje u filmuan gjatë një takimi të presidentit rus Putin me zyrtarë ushtarakë në qytetin e Detit të Zi, Soçi, të hënën e kaluar, raporton BBC.

Filmimi u transmetua të martën dhe më pas u fshi nga të dyja rrjetet televizive por disa uebsajte vazhdojnë të publikojnë pamje të fotografuara të tij. Zëdhënësi i Presidentit Putin, Dimitri Peskov, pranoi para gazetarëve se dokumentet e publikuara ishin sekrete dhe se prandaj u fshinë menjëherë.

Në të ardhmen, shtoi ai, do të merren masa që një gjë e tillë të mos ndodhë më. Mbetet e paqartë se si ato pamje u transmetuan në dy rrjetet pavarësisht kontrollit të rreptë të Kremlinit. Dokumentet u treguan në takimin ku Putin paralajmëroi se Rusia do të ndërmerrte masat e nevojshme për të përforcuar potencialin e strategjisë së forcave bërthamore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: