Disa komuna në Maqedoninë e Veriut po përballen me mungesë të ujit të pijshëm teksa në vend po regjistrohen temperatura të larta, deri në 40 gradë Celsius. Tetova dhe Dibra po përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë të pijes, ndërkaq në Shkup, autoritetet thanë se konsumi i ujit është rritur gjatë javëve të fundit.

Në Shkup, temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë Celsius dhe sipas informacioneve nga autoritetet, konsumimi i ujit në kryeqytetin maqedonas është rritur për më shumë se 10 për qind.

Përveç rritjes së konsumit të ujit, janë evidentuar edhe kyçje të jashtëligjshme, që zakonisht përdoren për larjen e oborreve dhe ujitjen e hapësirave të mbjella me produkte bujqësore në zonat rurale.

Autoritetet komunale që një kohë të gjatë kanë paralajmëruar se problemi i furnizimi me ujë të pijshëm në këto komuna të banuara me shumicë shqiptare  do të rregullohej nëse do të investohej në infrastrukturë.

Në Komunën e Tetovës, vlerësohet se më shumë se 40 për qind e ujit, që vjen nga Malet e Sharrit, humbet në rrjet, për shkak të gypave të vjetër, të cilët janë vendosur në sistemin e ujësjellësit 90 vjet më parë.

Gjendje e vështirë është edhe në Dibër, ku pjesa më e madhe mbetet pa ujë gjatë ditës. Ujë në këtë qytet ka vetëm në orare të caktuara gjatë natës. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të Dibër që të kenë kujdes që uji i pijshëm të mos shkojë dëm.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb