Fjala është për tempullin e zgjedhjeve, që është zemra e demokracisë amerikane. Sprova është trajtimi në rrugë ligjore i pretendimeve të Presidentit në detyrë, Donald Trump, i cili këmbëngul prej tri javësh, pa paraqitur prova, se presidencialet e 3 nëntorit janë manipuluar në favor të rivalit të tij, Joe Biden. Mbi këto pretendime, Trump u ka hedhur dorashkën si askush tjetër para tij institucioneve që garantojnë ndershmërinë e zgjedhjeve dhe rregullojnë kalimin e pushtetit nga humbësi te fituesi. Dihet tashmë botërisht se numërimi i votave, i certifikuar nga shtetet dhe organet zgjedhore federale, ka nxjerrë fitues sfidantin e zotit Trump, demokratin Joe Biden. Zoti Biden është Presidenti më i votuar në historinë e SHBA; ai ka marrë rreth gjashtë milionë vota popullore më shumë se Trump dhe 306 zgjedhës të mëdhenj nga 270 që është numri i mjaftueshëm për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë që Trump është ndalur në shifrën e 235 zgjedhësve të mëdhenj. Pavarësisht se shifrat e fitores së Biden flasin shumë-shumë më qartë se fitorja me një grusht votash e Bushit të Ri në zgjedhjet e vitit 2000, Trump ka ndjekur shembullin e kundërt me rivalin e Bushit, Al Gore, që pat uruar fituesin dhe u pat bërë thirrje amerikanëve të bashkoheshin rreth Presidentit të ri. Një thirrje të ngjashme u ka pas bërë amerikanëve edhe Presidenti i lavdishëm Xhorxh Bush i Vjetri kur e pa vetëm të mundur në zgjedhje nga një burrë i ri, i panjohur deri atëherë, Bill Klinton.

Përmendëm këto dy shembuj të veçantë ku sensi i përgjegjësisë publike ngrihet prekshëm mbi habinë dhe plagët personale. Por ky është një zakon i ngulitur në krejt traditën amerikane. Trump me sa shihet nuk e ka çuar nëpër mend kurrë humbjen. Ai e ka thyer këtë zakon fisnik. Që nuk ka nënkuptuar ndonjëherë verbërinë para mënyrës së zhvillohen zgjedhjet, por, ama, kur faktet flasin qartë, ngurrimi për të pranuar rezultatin e uruar fituesin ka një cak, përtej të cilit mund të shkohet vetëm me damkën e përçarësit meskin.

Një shprehje lapidare thotë se zgjedhjet e lira janë para së gjithash mjeti për ta lënë pushtetin. Nëse nuk do të shërbenin për këtë, zgjedhjet s’do kishin arsye të bëheshin. Ato sigurojnë rrotacionin e pushtetit. Ato nuk lejojnë çimentimin e drejtuesve të përjetshëm, që vetëm vdekja apo rrethana që nuk kanë lidhje me vullnetin e popullit i shkulin nga pushteti.

Presidenti Tramp është në të drejtën e tij të kërkojë transparencë dhe rinumërim të votave sipas ligjit, të ankimojë rezultatet e zgjedhjeve pranë gjykatave amerikane. Sistemi amerikan ka ligje të qarta për këto çështje. Është e sigurt se në ketë sistem manipulimet eventuale nuk kanë fat tjetër, veçse të zbardhen. Rinumërimi me dorë i votave në shtetin e Gjorgjias, ku diferenca e votave mes rivalëve ishte më e vogël se në shtetet e tjera, është një provë. Aty po del se rezultati është po ai që ishte shpallur më parë: Biden ka fituar. Po vërtetohet ajo që ka thënë një republikan i thekur, Karl Rove, se nga rinumërimi mund të dalin disa duzina votash të numëruara gabim, por jo një përmbysje rezultatesh. Në vend të provave që nuk po gjen, Trump vazhdon të referojë bindjen e tij se ka fituar, por fitoren ia kanë vjedhur. Ai u ka shpallur luftë të gjithë bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve republikanë të emëruar prej tij, që nuk i mbajnë ison.

Viktima e fundit e kësaj gjuetie që për shumëkënd shihet edhe si paranojë ishte Kristofor Krebs, drejtori i Agjencisë për Sigurinë Kiberbernetike dhe Infrastrukturën e zgjedhjeve. Krebs u shkarkuar sepse kishte mbështetur një deklaratë të një koalicioni federalësh e shtetërorësh për pastërtinë e zgjedhjeve të 3 nëntorit, duke nënvizuar se ato ishin me të mirat në historinë e SHBA. Shënjestrat e radhës të hakmarrjes së Trump, sipas mediave amerikane, janë krerët e CIAs dhe FBI-së. Rrethi po ngushtohet, në fakt, për Presidentin në detyrë sa i takon mundësisë për të ndryshuar rezultatin. Mesazhet e tij se Biden ka fituar me zgjedhje të trukuara, ndërsa atij i është vjedhur fitorja, u drejtohen tashmë mbështetësve të tij të së ashtuquajturës “Republikë të fansave, ku beso e verefiko i kanë zënë vendin adhurimit të zhurmshëm”, siç do të thoshin Stefen Holmes dhe Ivan Krastev. Synimi është për t’i mbajtur të karikuar këta besnikë në një projekt ende të paqartë në qëllimet që mund të ketë.

Trump i anatemon zgjedhjet në vendin e tij me një gjuhë që ua kemi dëgjuar politikanëve shqiptarë. Me një dallim. Në Shqipëri nuk ka ndodhur që zgjedhjet të hidhen poshtë nga ata që kanë humbun duke qenë në pushtet. “Ky qëndrim obstruksionist ashtë i panjohur në historinë e republikës amerikane që nga fillimi, 244 vite ma parë, dhe damton randë prestigjin e votës së lirë dhe imazhin e SHBA-ve para botës”, shkruante dje në një artikull në gazetën “Panorama” intelektuali i shquar shqiptar me banim në SHBA, Sami Repishti. Pohimet e zotit Repishti jehojnë në shqetësimin e miliona njerëzve të lirë anembanë botës. Në të vërtetë, sikur zgjedhjet të manipuloheshin kaq masivisht në SHBA, demokracia do të humbiste protektorin me të madh të zgjedhjeve të lira në botë, pasojat do të ishin të paimagjinueshme, demokracia do të vihej në pikëpyetje në një numër shumë të madh vendesh.

Kjo nuk mund të ketë ndodhur dhe siç po shihet nuk ka ndodhur. Fatmirësisht. Megjithatë, institucionet amerikane po e bëjnë e do ta bëjnë deri në fund transparencën e zgjedhjeve. Për publikun amerikan pikësëpari. Pretendimet e mbështetura në bindjen e sinqertë apo të kërkuar të Presidentit Tramp nuk do ta pengojnë kalimin e pushtetit te Presidenti i zgjedhur, J. Biden, udhëtimi i të cilit drejt majave të pushtetit në vendin me të fuqishëm të planetit është një profeci dhe një epope politike nga më të rrallat, ku sukseset janë ndërthurur me tragjedi familjare, ku fitoret janë alternuar me tërheqje dhe humbjet, ku popullariteti nuk ka rrëshqitur në populizëm dhe ambicia nuk e ka cenuar klasin, ku karizma nuk është aparencë, por thelb.

Por sjellja si e elefantit në tempull e Presidentit Trump mund të shërbejë si kushtrim për shumë udhëheqës populistë, iliberalë dhe autoritaristë në botë, që nuk do të duan të njohin në vendin e tyre verdiktin e votës së lirë që u kërkon të dorëzojnë pushtetin. Duke parë Trump, këta s’kanë frikë të dyfishojnë e trefishojnë si uzurpatorë qoftë edhe me çmimin e përplasjeve civile. Sepse nuk kanë përballë institucionet solide që ka SHBA. Për këtë arsye, SHBA ka përgjegjësinë t’i japë botës kësaj radhe shembullin e kalimit të pushtetit pa e lënë litarin jashtë, siç thotë një shprehje popullore shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb