Në emisionin “Open” në News24 kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi u shpreh se punonjësve të administratës u është bërë presion nga PS me vendet e punës.

Boçi gjithashtu tha se ka një tendencë për të tentuar manipulimin e votave nëpërmjet formave të ndryshme. Nga ana e tij gazetari Mentor Kikia tha se kjo mund të jetë një formë alibie e përdorur nga kandidati Boçi në rast se humbet në zgjedhjet e 14 majit. Gjë e cila ka sjellë edhe reagimin e kandidatit për Elbasanit, duke thënë se nuk ka asnjë alibi dhe se ka bërë denoncime lidhur me mënyrën se si ka vijuar procesi deri në këtë fazë.

Pjesë nga biseda në studio:

Luçiano Boçi: Unë garën nuk e ka me Ramën, por me të ardhmen e qytetit. Kryetari aktual nuk bën garë, nuk jep as llogaridhënie. Krahu tjetër nuk ka metoda politike, por merr peng mësuesit, mjekët bizneset, u thotë më dërgoni listat. Janë mbledhur numrat e kartave të identitetit me detyrim. Unë nuk jam polic, jam kandidat, jam njeriu politik që u drejtohet qytetarëve. Vektori i zgjedhjeve ka ndryshuar tërësisht, unë duhet të bëj luftën me shtetin, unë jam personi i qytetarëve, dhe duhet ta dini që forca e qytetarëve nuk ndalet. Mazhoranca sot përdor metoda parapolitike.

Gazetari Bardhi Sejdarasi: Këto janë zgjedhjet vendore. Çështja e programeve që duhet të votohen është ajo më thelbësore. Pra njerëzit duhet të njohin programet përpara se të njohin politikanët. Ajo që më shqetëson është mënyra se si prezantohet, programet që prezantohet dhe sa shkojnë ato tek qytetarët.

Mentor Kikia: Të pretendosh për manipulim procesi në momentin e numërimit të votave është gati e pamundur. Nëse do të flasim për manipulim, nuk bëhet ditën e zgjedhjeve, çfarë ka patur për t’u bërë është bërë më parë. Në Elbasan duke qenë se është numërim elektronik, kjo çështja e manipulimit bie fare. Ndërsa dëgjoj kandidatit që flet për këtë mendoj dy gjëra, ose rreziku është real, ose kandidati po përpiqet të ketë një argument gati.

Luçiano Boçi: Mënyra se e parashtrove nuk qëndron fare.

Mentor Kikia: Folëm për rrezik manipulimi

Luçiano Boçi: More pikën fundore dhe ne nuk kemi diskutuar fare. Nëse kam bërë denoncime e kam bërë për mënyrën se si ka vijuar procesi në këtë fazë ku jemi. Nuk kam fare pse të ndërtoj alibi, as se do të humbas dhe asgjë. Vota nuk është vetëm votë elektronike. Nëse bëhet manipulimi mos thuaj që unë paskam frikë, tendenca është presioni administratës dhe nuk është garë e drejtë.

Mentor Kikia: Nëse rreziku i manipulimit zgjedhor nuk bëhet në momentin e numërimit të votave, por në momentin paraprak dhe që nesër pas zgjedhjeve nëse ju humbisni, unë nuk do të doja që këto argumente t’i dëgjoja.

Luçiano Boçi: Unë nuk ka ardhur në studio që do të humbas,. Unë kam ardhur t’i flas qytetarëve të Elbasanit dhe t’i bind për votën. Nëse humbas çfarë do të bëj unë? Jo more jo unë e bind atë që më dëgjon të më votojë. Nuk po them jam fituesi, në bindjen time po, por këtu jam tek dialogu. Po thoni, “nëse humbet”, dhe se po ndërtoj alibi, hiç fare s’e kam mendjen tek alibia.

Mentor Kikia: Ju do të fitoni zgjedhjet dhe do jeni kryetari i bashkisë së Elbasanit.

Luçiano Boçi: Siç e thua ti nuk e them, nuk jam cinik unë

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb