Në një anketim të bërë nga Instituti republikan Ndërkombëtar ka rezultuar se 87 % e qytetarëve janë shprehur se korrupsioni mbetet një problem serioz në Shqipëri.

Në një intervistë të dhënë për VOA, John Fluharty tha se shqetësim mbeten tenderat, burimet publike dhe mënyra si përdoren ata, të cilat duket se po kthehen në problem për biznesin.

Më tej shtoi se qytetarët ndihen të shqetësuar për veprimtarinë e qeverisë dhe partive politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Fluharty! Në qendër të vëmendjes së qytetarëve janë korrupsioni i përhapur, ekonomia dhe pushteti vendor, sipas anketës. 87 për qind e tyre pohuan se korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri. Si e komentoni këtë rezultat?

John Fluharty: Po i kthehem mendimit se qytetarët ndjehen të bllokuar. Ata janë të shqetësuar se për çfarë punojnë partitë dhe qeveria. Ka disa shqetësime në këtë temë mendoj. Qytetarët janë vendosur midis korrupsionit në nivel vendor dhe korrupsionit në nivel kombëtar. Me korrupsionin kombëtar ata kanë parasysh tenderat, burimet publike si përdoren ato. Është e qartë se korrupsioni është çështje kombëtare.

Zëri i Amerikës: Një numër jo i vogël personash me rekorde të vjetra kriminale dhe persona të tjerë të dyshuar për korrupsion kanë kandiduar në politikë dhe në pushtet vendor. Si e komentoni faktin që persona të tillë përpiqen ta përdorin politikën si një strehë për problemet e tyre me drejtësinë?

John Fluharty: Mendoj se po pyesni njeriun e gabuar për këtë çështje. Kjo është një pyetje që duhet t’u përgjigjen votuesit. Ka dalë edhe nga anketimi që partitë politike duhen decentralizuar. Qytetarët duhet t’u thonë partive se kush janë kandidatët e përshtatshëm për ta. Duhet më shumë decentralizim dhe më shumë diskutim në nivel vendor. Qytetarëve u duhen dhënë më shumë mundësi, që t’i përgjigjen edhe pyetjes që më bëtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb