TIRANE – Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mohoi dje që të jetë kërcënuar nga deputeti Tom Doshi për përfitime në tendera shtetërorë. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, Beqaj tha: “S’kam pasur asnjë kërcënim”. Në fakt, e gjitha kjo histori u lakua në opinionin publik, pas ditës që deputeti Tom Doshi u pa të bënte gjeste me duar në seancën e Parlamentit ndaj kryeministrit Edi Rama. Veç problemeve që mund të kishte me kryeministrin Rama, u komentua se Doshi mund të kishte edhe ndonjë konflikt me ministrin Beqaj.
Ndërkohë, në media është pretenduar gjithashtu se pak ditë më parë, deputeti i qarkut të Shkodrës është shprehur me tone ofenduese dhe fyese ndaj ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, për disa problematika që Doshi kishte me sektorin e arsimit në këtë qark. Mosrealizimi i këtyre kërkesave nga ana e ministres Nikolla, ka bërë sipas mediave që Doshi ta fyejë atë rëndë gjatë një bisede telefonike që ka pasur me ministren. Ky incident i Doshit dhe ministres së Arsimit mësohet të jetë raportuar te kryeministri nga Nikolla.
Po ashtu, Doshi bëhet e ditur se nuk ka kursyer nga “sulmet” as ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Mësohet se Doshi i kishte kërkuar Bushatit që t’i zgjidhte një çështje që kishte lidhje me shërbimin e jashtëm, por ministri kishte hezituar që ta bënte këtë. Madje bëhet e ditur se në seancën e fundit parlamentare, Doshi ka tentuar të godasë ministrin e Jashtëm në kafenenë e Parlamentit, por ka qenë ndërhyrja e deputetëve të tjerë që kanë shmangur këtë përplasje. Duket se të gjitha këto incidente kanë sjellë vendimin e Ramës për të propozuar përjashtimin e tij nga PS.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: