Të ftuar në emisionin “Në Shënjestër” në “News24”, gazetari i Birn Gjergj Erebara dhe ekspertja Aranita Brahaj , folën për skandalin që ka përfshirë Fondin Shqiptar të Zhvillimit me personazh kryesor shefin e kuzhinës Alfio Rrotani.

Në lojë janë 410 mijë dollarë, për të dizenjuar një meny me ushqimet tradicionale shqiptare, realizimin e një dokumentari me seri, dhe promovimin e produkteve vendase.

Gjatë bisedës në studio, Erebara tha se ky tender në vetvete është i çuditshëm dhe se është e habitshme se si kanë arritur në përfundimin se për këtë tender duhen kaq shumë para.

Por gjithashtu ai theksoi se mes shumë problemeve në vend, rasti i këtij tenderi nuk është problemi më i madh në vend.

Nga ana e saj Aranita Brahaj, theksoi nga faktet e bëra publike ky tender ka ceduar, duke theksuar se tashmë SPAK mund të analizojë të gjitha detajet, si janë marrë vendimet, si është caktuar shuma.

Pjesë nga biseda në studio:

“Rasti konkret tenderi është i çuditshëm. Janë shënjestruar për të krijuar një meny dhe seri dokumentarësh. Pyetja që ngrihet është se si ka dalë në konkluzionin se duhen kaq shumë para. Duhet të shihen dokumentet. Sa i përket konfliktit të interesit, nuk shoh ndonjë konflikt interesi ligjor.”, tha Erebara.

Reagimi i SPAK?

Erebara: SPAK përgjithësisht ka hetuar çështje që janë të dorës së dytë…Kam parë një pafundësi me tendera për FZHF shumë të dyshimtë. Pretendon se nuk është subjekt i ligjit shqiptar, dyshimet në Shqipëri janë shumë konkret, por në këtë rastin e këtij tenderi nuk e shoh këtë si problemin më të madh të vendit.

Aranita Brahaj: Rasti që është publikuar nga media megjithatë si rast i pastër i konfliktit të interesit ka një detaj , është një tender që me aq fakte , tregon se ka ceduar dhe nuk është bindës për mënyrën se si është zhvilluar. Prokurohen disa objekte për këtë aktivitet që nuk ka asnjë llogaridhënie, kush e  ka parë të arsyeshme që ky projekt i madh të fillojë me menynë e gastronomisë. Tenderi sikurse edhe kostot, si caktohen? Mendoj që SPAK mund të analizojë të gjitha detaje, si janë marrë vendimet, si është caktuar shuma. Në rastin në fjalë Fondi Shqiptar i Zhvillimit  e ka tender të markuar si tender me risk. Kjo ndodh kur skualifikohen disa oferta. Skualifikimi me ofertë ekonomike më të ulët është një problem shumë i madh në procedurat e tenderimit të vendit tonë. Nëse SPAK shkon dhe shikon kriteret dhe kostot mendoj që ka një vend për të thënë çfarë ka ndodhur me këtë tender”, tha më tej ajo, ndërsa shtoi: “Tender ndërkombëtar thonë, por ka 10 ditë kohë për të marrë pjesë një kompani. Kjo bëhet pasi është vendosur që t’i jepet klientëve të vetë, pa pasur asnjë intereferencë nga kompanitë e tjera. Janë tendera të AKSHIT, që po bëhen sekret. Kjo agjenci nuk bën prej kohësh tendera të hapura. Shëndetësia ka tendera të tillë. Ata operatorë që duhen të marrin pjesë në tendera duhet të jetë i kualifikuar paraprakisht. Duhet të futet dhe pakti i integritetit dhe është i pavarur. Këtu jemi duke shpërdoruar jo vetëm paratë publike, por dhe duke futur dhe para që vjen nga aktivitete krimi.”

Erebara: AKSHI, Autoritetit Rrugor Shqiptar, janë ato që të ngrijnë dyshime se çdo tender është i paracaktuar.

Cilat janë kriteret?

Erebara: Kur një autoritet publik ndërton një rrugë me vlerë 10 mln euro përcakton si kritere dhe thotë kompania fituese duhet të ketë disa garanci, sa inxhinierë, ka sa pajisje ka… Rasti më flagrant ka qenë programi për tatimet… Para se të hapej tenderi në gjithë Tiranën e dinin kush ishte kompania fituese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: