*Avokati i Tom Doshit çon në Gjykatën e Lartë kërkesën për lirimin e tij
*Avokatët Gjokutaj dhe Vishaj, hedhin poshtë referencat e urdhër-ndalimit të Prokurorit të Përgjithshëm se Frroku akuzohet në shtetin belg
*Deputeti Mark Frroku merret 1 orë në pyetje
*Tom Doshi merret 4 prë në pyetje

TIRANË- Prokurorët e çështjes kanë marrë në pyetje sot dy deputetët e arrestuar Tom Doshi dhe Mark Frroku. Megjithëse në bazë të urdhër-ndalimit, dy deputetët duhet të ishin marrë në pyetje menjëherë pas arrestimit, Prokuroria ka nisur paraditen e sotme marrjen në pyetje të Doshit dhe Frrokut që është bërë në ambientet e Policisë së Tiranës, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe avokatët mbrojtës.

Mësohet se seanca e marrjes në pyetje e deputetit Frroku ka zgjatur 1 orë, ndërsa deputeti Doshi është pyetur për rreth 4 orë në prani të avokatëve. Rreth orës 15:23 minuta seanca ka përfunduar siç raportoi gazetari Spartak Koka. Po sipas tj, është parë të largohet nga Drejtoria e Policisë edhe një nga prokurorët e çështjes, Altin Binaj, i cili mësohet se ka shkuar në Gjykatën e Lartë për të vlerësuar masën e sigurisë.

Mësohet se dëshmia e Doshit është shoqëruar me tensione e ngritje zëri, pasi zoti Doshi nuk ka qenë dakord me akuzat dhe ka pretenduar se ato janë të pavlefshme.

AVOKATET E DOSHIT: PRESIM PERBALLJEN NE GJYKATE
Ora 15:51- Ndërsa avokatët e tij në përfundim të marrjes në pyetje deklaruan se zoti Doshi por edhe vetë ata kanë mbajtur të njëjtin qëndrim që kanë bërë më herët publik.
“Ne kemi depozituar një kërkesë, presim përballjen në gjykatën e Lartë. Ky ka qenë thjesht një moment procedural”.

Ndërkohë gazetari Spartak Koka raportoi se dy deputetët e kanë kaluar natën të vendosur në dhoma të ndryshme, kjo edhe për shkak se ata kanë pasur një marrëdhënie të tendosur ditët e fundit. Deri tani, nuk konfirmohet të ketë pasur ndonjë problem shëndetësor të dy deputetëve. Pas 48 orëve pritet që gjykata të flasë me një vendim edhe për masën e sigurisë ndaj dy deputetëve. Që në orët e para të mëngjesit të afërm të zotit Frroku kanë qenë të pranishëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, gjithashtu edhe familjarë të deputetit Doshi. Mbrëmjen e djeshme kanë sjellë edhe sende të nevojshme që janë të lejuara për Doshin e Frrokun.

AVOKATËT E FRROKUT: NGA AUTORITETET BELGE NUK KA ASNJE AKT

Ora 12:55- Dy avokatët e deputetit Mark Frroku, Genci Gjokutaj dhe Sajmir Vishaj, kanë mohuar kategorikisht ekzistencën e referencave në urdhrin e ndalimit në lidhje me akuzat në Belgjikë. “Qëndrimi ynë është ai që kemi patur, presim seancën e gjykimit. Qëndrimi ynë do të kondicionohet me njohjen e akteve. Nuk ka asnjë referencë në asnjë akt për lidhje me akuza në Belgjikë. Sigurisht nga Gjykata ndalimi do konsiderohet i paligjshëm. Sot jemi pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilëve bëhet hetimi. Nuk ka kompetencë prokuroria e përgjithshme ta cilësojë. Nga autoritetet belge nuk ka asnjë akt. Nuk kemi asnjë lidhje me akuzat për dijeni të ndonjë vrasjeje nga kreu i Kuvendit. Përjashtohet çdo dijeni për këtë akuzë. Akuza të fabrikuara nga njerëz të papërgjegjshëm”, deklaruan avokatët.

AVOKATI I DOSHIT DORËZON NË GJYKATËN E LARTË KËRKESËN PËR LIRIMIN E DEPUTETIT
Ora 11:48- Avokati i deputetit Tom Doshi, Vladimir Meçe ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për lirimin e menjëhershëm të deputetit Doshi, duke e cilësuar arrestimin e kundërligjshëm. Ai deklaroi se Prokurori i Përgjithshëm ka abuzuar me kompetencat e tij dhe kërkesa që ka dorëzuar është e bazuar në Kushtetutë.

“Është një kërkesë e bazuar në Kushtetutë. I kërkova gjykatës lirimin e menjëhershëm se është një ndalim i kundërligjshëm,kryeprokurori ka abuzuar me kompetencat e tij”, tha Meçe.

Ora 11:34- Mbërrijnë avokatët e deputetit Mark Frroku, Saimir Vishaj dhe Genci Gjokutaj. Pritet të nisë marrja në pyetje, ndërsa ky proves do të nisë së pari me deputetin Tom Doshi.

Ora 11: 32: Mbërrin një prej avokatëve të deputetit Tom Doshi, Ferid Muçaj

Ora 11:20- Mbërrijnë prokurorët Adnan Xholi dhe Altin Binaj në Policinë e Tiranës për marrjen në pyetje të deputetëve të arrestuar Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Ora 10:53- Në Policinë e TIranës janë paraqitur 2 oficerët e policisë gjyqësore të Krimeve të Rënda që do të asistojnë në marrjen në pyetje të dy deputetëve. Oficerët janë Joni Keta, Ervin Braha. Pritet të mbërrijnë edhe avokatët e dy deputetëve.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb