Si ekspert të Kupës së Shqipërisë, Laçi nuk zhgënjen as këtë herë, likuidon rivalin e tyre më të madh, Partizanin duke siguruar një biletë për në fazën gjysmëfinale. Në Kurbin të gjithë po përjetojnë një ëndërr të madhe, ky është një sezon fantastik, ku me meritë udhëheqin edhe kampionatin. Bardhezinjtë mbeten një makth për kryeqytetasit, jo vetëm që nuk i kanë mposhtur asnjë herë këtë sezon por tashmë likuidojnë edhe nga Kupa.

Ashtu siç pritej kjo ishte një sfidë e luftuar për çdo top, e bukur për tu parë për më tepër që në fushë rikthej edhe i munguari i madh, Kyrian Nuabueze. Sulmuesi trembi jo pak teksa në fillimin e ndeshjes u rrëzua përtokë duke sjell panik, për fat të mirë, gjithçka kaloi shpejt dhe Nuabueze u rikthye në fushë. Gjatë pjesës së parë nuk munguan as episodet e dyshimta, si në minutën e 31-të ku Çinari reklamoi një penallti për faull në zonë. Të dy ekipet krijuan raste për shënim ndërsa me kalimin e minutave situata u tensionua në disa momente aq sa solli dhe përplasje mes stafe drejtuese. Në fund rezultati mbeti i pandryshuar duke bërë që kjo përballje në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë të kalojë në shtesë. As koha shtesë nuk solli ndryshim në rezultat por në limite, në minutën e 118-të ishin kurbinasit që reklamuan një 11-metërsh, por nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari Kridenc Meta që vendosi fatin e këtij takimi nga pika e bardhë e penalltisë.

Të gjithë prisnin që Alban Hoxha të bënte heroin por diçka të tillë e bëri Alen Sherri duke pritur dy 11-metërsh, Jurgen Bardhit dhe Tedi Carës. Në fund, për ironi të fatit ishte Mentor Mazrekaj, ish lojtarë i famshëm i Partizanit, që u tregua i saktë në ekzekutimin e penalltisë duke i dhuruar Laçit një biletë për në fazën gjysmëfinale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb