Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, biseduan shkurtimisht të enjten gjatë samitit të G20-s që po mbahet në Nju Delhi të Indisë.

Ky është takimi i parë i nivelit të lartë midis dy vendeve pas disa muajsh, dhe vjen pasi tensionet midis Uashingtonit dhe Moskës janë rritur për shkak të luftës Ukrainë-Rusi.

Zyrtarët amerikanë thanë se Blinkeni dhe Lavrovi biseduan për rreth 10 minuta në margjinat e konferencës së G20-s.

G20 përfshin 19 shtete dhe Bashkimin Evropian, dhe përbën rreth 85 për qind të ekonomisë botërore dhe dy të tretat e popullsisë së saj.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se Blinkeni e përdori diskutimin për të folur me Lavrovin për tri pika, sikurse ajo që SHBA-ja do ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet për t’i dhënë fund luftës, se Rusia duhet ta ndryshojë vendimin e saj pas pezullimit të pjesëmarrjes në traktatin bërthamor, dhe se Moska duhet ta lirojë të arrestuarin amerikan, Paul Whelan.

Zyrtari, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se Blinkeni nuk pret që të ketë ndonjë ndryshim në sjelljen e Rusisë në një të ardhme të afërt.

Rusia ende nuk e ka komentuar takimin, por zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Blinkeni kishte kërkuar të fliste me Lavrovin.

Lavrov dhe Blinken për herë të fundit janë takuar në janar të vitit 2022 në Gjenevë, kur kryediplomati amerikan paralajmëroi kundër pushtimit. Blinken më pas anuloi një takim të ri me Lavrovin kur u bë e qartë se Rusia kishte vendosur ta sulmonte Ukrainën, gjë që ndodhi më 24 shkurt 2022.

Pavarësisht se nuk kanë zhvilluar takim sy më sy, Blinken ka biseduar në telefon me Lavrovin lidhur me një propozim për këmbimin e të burgosurve.

Të dy kryediplomatët morën pjesë në samitin e fundit të G20-s në Bali, që u mbajt korrikun e kaluar dhe Lavrov u largua nga samiti për shkak të kritikave për luftën që bënë zyrtarët perëndimorë./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: