Tensione për pallatin që do të shembet në rrugën “Margarita Tutulani” në Tiranë, pasi disa familje po bëjnë rezistencë me Policinë.

Një prej banorëve të këtij pallati pohoi për mediat se dy djem u shoqëruan në polici, pasi bënë rezistencë në hyrje të godinës.

Ai i bëri apel shtetit që t’i sigurojë strehë dhe t’i japë shtëpi.

“E ka ndërtuar Aviacioni Civil. Qiranë ia paguanim shëtit si gjithë banorët e tjerë deri në fillim të demokracisë. Disa i privatizuan, disa jepnin qiranë. Ne nuk kemi ku të shkojmë më, ky është problemi. Në 2013-ën vendimi i gjykatës thoshte; lini banesën. Nuk e di se pse kanë ardhur tani.

Ne jemi në proces gjyqësor akoma. në herë na nxorën për çështje sizmike, por e vërtetuam që pallati ishte shumë mirë se e verifikuam me specialistë të tjerë. Kam dalë fare nga shtëpia, se mua ma shkatërruan. Këtu janë 7 familje nga 13. Ma shkatërruan këta që erdhën me Përmbarimin. Disa prej familjeve po flenë nëpër bodrume. Ne besimin do e kemi, se te shteti do përplasemi se s’kemi ku përplasemi tjetër. Kemi paguar gjithë kohës qiranë. Duam të na japin shtëpinë. Brenda janë ende 7 familje. Dy djem na i çuan në polici, se bënë rezistencë te dera. Shteti të na japë shtëpi, mos të na lërë në rrugë të madhe”, tha ai.

Kujtojmë se ky pallat është planifikuar që të shembet, me pretendimin se është dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb