Luftanija amerikane “USS Hershel Woody Williams” ka mbërritur në ishullin grek të Kretës, me misionin për të vëzhguar tensionet e përshkallëzuara midis aleatëve të NATO-s Greqisë dhe Turqisë mbi të drejtat e shfrytëzimit të burimeve energjetike në Mesdheun lindor. Anija amerikane u bashkohet forcave detare të Bashkimit Evropian dhe Rusisë, duke ngritur shqetësimet në Greqi mbi pasojat që mund të sjellë kjo rritje e pranisë ushtarake.

Ekspertët ushtarakë e përshkruajnë luftanijen “USS Hershel Woody Williams” si një bazë ushtarake lundruese, e dyta e një brezi të ri të anijeve masive që Marina amerikane tani po i përdor si qendra transporti dhe mbështetjeje të shpejtë për operacionet ushtarake.

Anija me gjatësi 230 metra, me madhësinë e disa rrokaqiejve, ishte më herët në Napoli të Italisë, për një ndalesë logjistike rutinë para se të dërgohej në Kretë, ku është në gjendje gatishmërie, pasi Greqia dhe Turqia janë në një ngërç diplomatik dhe ushtarak mbi një zonë detare.

Anije luftarake greke dhe turke janë dislokuar në rajon që kur Presidenti Recep Tajip Erdogan urdhëroi dërgimin e një anijeje kërkimore në Mesdheun lindor për të studiuar burimet e gazit dhe naftës.

Greqia thotë se shtrati i detit në brigjet e Kretës dhe ishujt e tjerë të rajonit janë territor i saj dhe se Athina ka të drejtë ta shfrytëzojë atë, një pretendim që Turqia e ka hedhur poshtë vazhdimisht, duke thënë se ishujt nuk kanë të drejtë të përdorin atë që njihet si një zonë ekskluzive ekonomike.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë hollësi mbi urdhrat që ka marrë luftanija “Hershel Woody Williams” ose sa kohë ajo do të qëndroj atje.

Por prania e saj pason dërgimin nga Franca javën e kaluar të disa anijeve luftarake në Mesdheun lindor, një veprim që tërhoqi shpejt vëmendjen e Moskës. Marina ruse më pas dërgoi anijet e saj luftarake.

Ministri i Jashtëm i Qipros Nikos Christodoulidis tha se forcat nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe vende të tjera në rajon ka të ngjarë të arrijnë dhe të bashkohen në këtë përpjekje.

Ai tha se zyrtarët grekë po përpiqen për këtë dhe presin këtë grumbullim të forcave ndërsa Athina përpiqet të gjejë një zgjidhje diplomatike. Zoti Christodoulidis përshëndeti rritjen e pranisë ushtarake duke e quajtur atë një provë të vendosmërisë së Perëndimit për të bllokuar atë që ai e quajti ndikim në rritje të Turqisë në rajon.

Analisti Kostas Ifandis, profesor i studimeve ushtarake dhe marrëdhënieve diplomatike, dyshon se demonstrimi i forcës do t’i ndryshojë gjërat.

Ai thotë se nëse situata tensionohet edhe më tej, ne mund të shohim mobilizimin e vendeve të tjera si Egjipti. Por, nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian, thotë ai, nuk ka të ngjarë që kjo rritje e pranisë ushtarake të ketë ndikim mbi Turqinë sepse partneri i saj më i madh tregtar dhe aleati më i ngushtë, Gjermania, nuk ka gjasa t’i bashkohet një manovrimi të tillë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, vendi i së cilës aktualisht kryeson presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian, është përpjekur të bindë Athinën dhe Ankaranë që të hyjnë në negociata mbi pretendimet kundërshtuese që secila palë ka mbi të drejtat ajrore dhe detare në rajon.

Gjermania nuk është treguar e gatshme për vendosjen e sanksioneve të ashpra kundër Turqisë, por ka këshilluar qeverinë në Ankara që të tërheqë anijen e saj kërkimore nga ujërat e debatueshme.

Turqia ka thënë se do të vazhdojë studimin e rajonit të kontestuar deri në javën e ardhshme.

Por grumbullimi i anijeve, nëndetëseve dhe madje edhe avionëve luftarakë në rajon, ka shtuar frikën e ekspertëve për mundësinë e një aksidenti që do të shkaktonte një konfrontim më të madh midis Greqisë dhe Turqisë.

Në një incident të fundit, zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë thanë se një anije greke u përplas me pjesën e pasme të një anijeje turke ndërsa anija greke ndërhyri për t’ia ndërprerë rrugën asaj. Asnjëra nga anijet nuk pësoi dëme, por incidenti bëri që forcat e armatosura nga të dyja palët të vendoseshin në gjendje gatishmërie./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb