TIRANE– Në mbledhjen e radhës të Komisionit të Jashtëm është diskutuar për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, pas trenit serb me simbole nacionaliste i cili synonte të hynte në Mitrovicë, por nuk u lejua nga autoritetet e Kosovës dhe për pasojë u kthye sërish.

Kryetarja e Komisionit, Arta Dade u shpreh se ngjarjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë janë regres, ndërsa treni serb me simbole nacionaliste është një provokim për Kosovën. Pjesëmarrës në komision ishte dhe ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, i cili tha se situata mes Kosovës dhe Serbisë vijon të jetë e tensionuar prej 3 muajsh.

Në lidhje me trenin serb, ka pasur akuza nga pala kosovare dhe serbe, ndërsa gjatë ditës së djeshme u zhvillua dhe një takim në Bruksel mes kryeminsirit të Kosovës, Isa Mustafa, presidentit Hashim Thaji dhe homologëve serbe, Aleksandër Vucic dhe Tomislav Nikolic. Përmes një deklarate me shkrim, Mogherini falënderoi të dyja palët për takimin mes palëve të cilin ajo e cilësoi si konstruktiv.

“Palët kanë diskutuar zhvillimet e ditëve të fundit, janë pajtuar për të lënë prapa tensionet dhe për t’u përqendruar në punën përpara. Unë kam theksuar se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është thelbësor për Kosovën dhe Serbinë, për Bashkimin Evropian dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi”- tha Mogherini.

Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Beogradit i është bërë e qartë se Kosova do të veprojë si shtet i pavarur dhe sovran.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb