TIRANE- Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka folur për tensionet në seancën e Kuvendit dhe përjashtimin e Bashës nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruci.

E ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në News24, Elisa Spiropali tha se skena dhe ‘pushtimi’ i Kuvendit nga deputetët e opozitës ishte e stisur.

Ndër të tjera deputetja e PS tha se nuk ishte parashikuar diskutim për reformën zgjedhore dhe këtë e tregon dhe fakti që LSI u kap gafil dhe nuk dinte gjë për diskutime.

“Parlamenti nuk është vend ku mund të bëhet ‘luftë’. Ne erdhëm në atë seancë për reformën zgjedhore dhe opozita krijoi një skenë të papërshtatshme. Basha nuk u përjashtua, por u vetëngujua. Gjithë skena ishte e stisur. Kishim ardhur për të votuar komisionin për reformën zgjedhore dhe në mbledhjen konferencës së kryetarëve kjo çështje nuk është ngritur nga kreu i grupit të PD për të pasur diskutim. Kjo është aq e vërtetë sa edhe LSI u kap gafil, pasi nuk e dinte. Nuk ishte parashikuar debat në rendin e ditës dhe për këtë ra dakord edhe LSI. Lideri i PD ka menduar se mund të marrë peng parlamentin. Nuk mund ta nisim ‘luftën’ me qëndrime të stisura. Nuk ka më lojëra me rregullat parlamentare”- tha Spiropali, raporton BalkanWeb.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: