Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur këtë të diel ne programin e mëngjesit në radion e “BBC” lidhur me situatën në veri të vendit.

Lidhur me kërkesën për largimin e Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, Kurti tha kjo pikë mund të rishikohet, por fillimisht kërkoi që bandat e dhunshme të kthehen në Serbi ose të burgosen

“Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë së Kosovës nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale të cilat kanë sulmuar dhe plagosur gazetarët, policinë tonë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi ose në burg”, tha ai.

Kryeministri Kurti shtoi se nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike të Kosovës.

“Nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike, duke qenë kryeministri i vendit më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me policinë më profesionale e cila është e orientuar dhe trajnuar nga Perëndimi.

Presidenti Vuçiç është një autokrat që nuk i lejon serbët në Kosovë të kenë më shumë se një parti. Serbët në Kosovë përbejnë 4% të popullatës ndërsa populli i Kosovës 93% , kemi edhe minoritete të tjera të neglizhuara nga komuniteti ndërkombëtar. Pra 4% e popullsisë serbe kanë drejtimin e 10 nga 38 komunave, kanë 10 vende të rezervuara në parlamentin e Kosovës dhe qeveria jonë e ka të detyrueshme që në kabinet të kemi një ministër serb. Unë e kam atë ministër, është Nenad Rasiç. Ai nuk është në partinë e Vuçiç dhe sot është personi më i urryer në Serbi”, tha ai.

I pyetur rreth mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme, Kurti u shpreh se është i gatshëm të dëgjojë propozimet për zgjedhje të parakohshme, por pasi të vendoset sundimi i ligjit në vend.

Ndërsa i takon deklaratave e ashpra te SHBA-dhe BE-, Kurti theksoi se janë aleatë të pakontestueshëm të Kosovës

“Ne i konsiderojmë SHBA-të, BE-në, Britaninë e Madhe, aleatë dhe miq të pakontestueshëm, dhe u jemi shumë mirënjohës për lirinë dhe pavarësinë tonë dhe për zhvillimin e demokracisë. Gjithsesi ne nuk mund tua dorëzojmë Republikën tonë, policisë fashiste e cila paguhet nga autokratët në Beograd, i cili dikur ka qenë ministër i propagandës së Millosheviçit”, tha ai.

Kurti shtoi se Serbia nuk e distancon veten nga e kaluara e Milloshevicit, dhe as tani nuk e distancon veten nga e tashmja e Putinit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: