Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Siç njoftohet nga Presidenca, Sveçla ka njoftuar Osmanin për hapat e ndërmarra për sa i përket sigurisë publike dhe mbarëvajtjes se funksionimit të institucioneve ligjzbatuese në veri të vendit.

“Osmani ka qenë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e sigurisë në vend për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më herët, të hënën Sveçla ka deklaruar se në veri ka indikacione për elemente ruse, me qëllim të trazirave dhe eskalim të situatës.

Për zëvendësimin e pozitave të policëve të dorëhequr, ai ka theksuar se do të plotësohen të gjitha nevojat dhe shpejt do të shpallen edhe konkurset për zyrtarë policor shtesë.

Në konferencë për media, ministri Sveçla deklaroi se situata e sigurisë është e qetë dhe se të gjitha institucionet e sigurisë janë duke punuar në kapacitetet e nevojshme.

Ai nuk ka mohuar se ka pjesëtarë rusë të përfshirë në atë çfarë po ndodh në veri.

“Ne po përcjellim situatën. Jemi jashtëzakonisht aktivë në mbledhjen e të gjitha informatave edhe të kësaj natyre. Ka edhe deklarime dhe indikacione se mund të ketë elemente të Rusisë, të cilat janë të interesuara të shkaktojnë trazira, eskalim të situatës atje. Unë jam i bindur që institucionet e Kosovës në koordinim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë janë të suksesshëm në parandalimin, neutralizimin e çfarëdo ndikimi negativ të kujtdo qoftë në raport me sigurinë atje”, ka deklaruar Sveçla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: