Javën e kaluar kryeministri Albin Kurti ka dhënë disa intervista për media të ndryshme ndërkombëtare. Ajo që bëri bujë më së shumti është intervista e dhënë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Kjo për shkak të pjesëzave që autori i intervistës, Michael Martens kishte përzgjedhur t’i publikonte në Twitter përpara se ta nxirrte në botim intervistën e plotë.

Deklaratat për të cilat u bë shumë zhurmë janë ato për të cilat Martens e ka cituar Kurtin, se “ambasadori amerikan ka informacione më shumë” për situatën në Veri dhe se ka bërë kompromis për targat meqë Hovenier e kishte paralajmëruar se situata në veri të vendit mund të përkeqësohet në mënyrë të pakthyeshme.

Megjithatë, mediat kosovare raportojnë se asnjëra prej këtyre deklarimeve të Kurtit nuk gjendet në intervistë e plotë me Kurtin që është publikuar dje në FAZ.

Lidhur me heqjen e këtyre pjesëve ka folur vetë autori i intervistës, Martens, i cili ka deklaruar  se i ka hequr ato pjesë meqë i ishte dashur ta shkurtonte intervistën.

“Mu desh ta shkurtoj pak intervistën, sepse nuk mundeshim ta publikonim të plotë dhe i hoqa disa gjëra”, ka thënë Martens.

Ndërkohë këtë gjë e ka arsyetuar se ai shkruan për shtypin gjerman dhe se detaje të tilla janë të parëndësishme për ta.

“Unë i bëj intervistat për audiencë gjermane dhe jo për audiencë shqiptare dhe kur u përballa me idenë se duhet ta shkurtoj, atëherë vendosa ta heq atë pjesë sepse për audiencën gjermane nuk është çështje me rëndësi”, ka shtuar tutje ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: