Ka nisur zhbllokimi i pikave kufitare të Jarinjës e Bërnjakës, pasi sot hyn në fuqi marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Mediat kosovare raportojnë se KFOR-i tashmë ka nisur vendosjen atje, ndërsa kanë publikuar momentet nga aksioni në fjalë.

Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, barrikadat dhe njësitë speciale të Policisë dhe Kosovës do të tërhiqen paralelisht. Këto pika kufitare u bllokuan që prej 20 shtatorit, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat nga ana e Kosovës. Për mënyrën se si do të bëhet zhbllokimi i këtyre vendkalimeve kufitare, ka folur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Sipas Bislimit, në këto pika do të vendosen fillimisht forcat e KFOR-it dhe pastaj në orën 08:00 pritet të fillojë edhe zhvendosja e barrikadës dhe e policisë speciale dhe të përfundojë jo më larg se në orën 16:00.

“Zhbllokimi është paraparë për ditën e nesërme (e shtunë, 2 tetor). Paraprakisht duhet njësit i KFOR-it të vendoset në vendkalimet kufitare dhe në bashkëveprim me njësitë speciale të Policisë së Kosovës të informohen për të gjitha elementet që janë të nevojshme për të siguruar stabilitetin e vendkalimeve kufitare dhe sigurinë e tyre”, ka deklaruar Bislimi.

Ai tha se nuk ka ndonjë sekuencë se cila palë duhet të tërhiqet para tjetrës, meqenëse zhvendosja do të bëhet në mënyrë të njëkohshme.
“Pastaj, pasi të jenë kryer të gjitha këto proceduarat, në orën 08:00 është paraparë që të fillojë zhvendosja e njëhershme edhe e barrikadës edhe e policisë speciale dhe me këtë kompletohet. Do të thotë, nuk ka sekuencë që njëra palë duhet të tërhiqet para tjetrës, por zhvendosja bëhet në mënyrë të njëkohshme. I vetmi dallim është që forcat e KFOR-it duhet të vendosen disa orë para se të fillojë zhvendosja e barrikadës dhe ndjesive speciale dhe po ashtu, ajo që është me rëndësi që ta përkujtojë secilën herë sesi duket, është burim i keqinterpretimeve të qëllimshme, kjo nuk ka të bëjë me qëndrimin e policisë kufitare dhe policisë së rregullt. Kjo masë nuk i prekë ata. Ata vazhdojnë punën e tyre. Punën dhe funksionet e tyre nuk i kanë marrë përsipër njësitë speciale të policisë, ato kanë pasur për detyrë vetëm ruajtjen e pikave kufitare dhe qetësisë atje. Nga ana jonë nuk ka tendenca për t’i zhvendosur afatet. Ajo që është me rëndësi të thuhet është se në rast se nuk respektohen afatet, atëherë marrëveshje konsiderohet si e pavlerë dhe pala e cila tregohet jobashkëpunuese do të jetë ajo e cila do të identifikohet si palë bllokuese e dialogut, por nuk ka ndonjë arsye, që të paktën nga ana e policisë, të fillojë zhvendosja. Barrikada është ilegale. Ajo mund të tërhiqet në çdo moment dhe vetëm se do e lehtësonte punën pastaj për nesër, por përndryshe nga ana e njësive speciale të policisë nuk ka kurrfarë arsye, edhe nuk ka logjikë që procesi të fillojë para se të bartet në mënyrë logjistike gjithçka te KFOR-i dhe para se të fillojë edhe tërheqja e barrikadës apo barrikadave”, ka deklaruar ai për rel.

Sipas tij, Kosova është e përgatitur për zbatimin e kësaj marrëveshje. Zëvendëskryeministri ka treguar se tashmë Kosova ka rreth 300 mijë stikersa, të cilat thotë se mjaftojnë për të mbuluar qarkullimin gjashtë mujor. “Kosova ka qenë e gatshme qysh moti. Kosova ka rreth 300 mijë stikersa (v.j. letra ngjitëse), kur po them 300 mijë stikersa po mendoj 300 mijë pako, për arsye se një pako i ka katër stikers, kaq sa nevojitën për secilën veturë për të mbuluar shenjat e shtetësisë dhe simbolet. Dhe këto mjaftojnë për të mbuluar qarkullimin gjashtëmujor ndërkufitarë. Edhe marrëveshja e përkohshme ka një afat prej gjashtë muajsh, kështu që pala jonë është komplet e përgatitur”, -ka thënë Bislimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb