Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha se vendi i tij nuk kërkon rritjen e tensioneve. Duke folur të mërkurën gjatë një vizite në Japoni për bisedime me kryeministrin Shinzo Abe, ministri Zarif tha se “çdo vend duhet të lejohet të ushtrojë të drejtat e veta sipas ligjit ndërkombëtar”.

Kryeministri Abe vizitoi Teheranin në fillim të këtij viti në përpjekje për të shërbyer si ndërmjetës midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Këtë javë, Presidenti amerikan Donald Trump tha se “ekziston një shans shumë i mirë” që ai të takohet me Presidentin iranian Hassan Rouhani për të negociuar një marrëveshje të re që kufizon programin bërthamor të Iranit në vend të marrëveshjes ndërkombëtare të vitit 2015 nga e cila zoti Trump u tërhoq vitin e kaluar, shkruan VOA.

Por Presidenti Rouhani tha nëse Presidenti Trump dëshiron bisedime, ai duhet të “ndërmarrë hapin e parë” dhe të heqë sanksionet. Nga ana e tij Presidenti Trump vuri si kusht që Irani të ndalohet të zhvillojë armë bërthamore apo të testojë raketa balistike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb