Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë për shkeljen e marrëveshjes për kontrollin e armëve bërthamore dhe se po refuzon të lejojë inspektimet e objekteve të saj bërthamore.

“Rusia nuk është në përputhje me detyrimin e saj sipas Traktatit të Ri START për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit në territorin e saj. Refuzimi i Rusisë për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit i pengon Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë të drejta të rëndësishme sipas traktatit dhe kërcënon qëndrueshmërinë e kontrollit të armëve bërthamore amerikano-ruse”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në një deklaratë.

“Rusia gjithashtu nuk ka përmbushur detyrimin e Traktatit të Ri START për të thirrur një sesion të Komisionit Konsultativ Dypalësh në përputhje me afatin kohor të mandatuar nga traktati”, ka shtuar më tej zëdhënësi.

Kjo deklaratë e SHBA-së pritet të rrisë më shumë tensionet midis dy vendeve tashmë në acarim. Agresioni i pajustifikuar dhe përdorimi i armëve nga Rusia, ka alarmuar SHBA-në dhe aleatët e saj.

Kujtojmë që në dhjetor, Putin paralajmëroi për kërcënimin “në rritje” të luftës bërthamore.  Ndërsa, gjatë janarit, Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, kërcënoi se Rusia që humbi luftën mund të “provokojë shpërthimin e një lufte bërthamore”.

“Fuqitë bërthamore nuk i humbasin konfliktet e mëdha nga të cilat varet fati i tyre. Kjo duhet të jetë e qartë për këdo. Madje edhe për një politikan perëndimor që ka ruajtur të paktën disa gjurmë inteligjence”, shkroi Medvedev në Telegram.

Sipas traktatit të ri START, e vetmja marrëveshje e mbetur që rregullon dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë, Uashingtoni dhe Moska lejohen të kryejnë inspektime në vendet e armëve të njëri-tjetrit, por për shkak të pandemisë Covid-19, inspektimet janë ndalur që nga viti 2020.

Traktati vendos kufizime në numrin e armëve bërthamore të vendosur në rreze ndërkontinentale, që mund të kenë SHBA dhe Rusia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb