Në ADN-në e tij është i lindur shënimi i supergolave. Ai e ka treguar këtë me fanellën e ekipit kombëtar, por edhe me klubet ku është aktivizuar. Nga goli me Çekinë prej shumë metrash larg, tek ai me gjysmëroveshatë për ngjyrat e “Konias”, kështu e quan ekipin e tij në Turqi Sokol Cikalleshi, i cili rrëfehet në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Cikalleshi tregon si e menaxhon jetën e tij familjare, objektivin europian me Kombëtaren, ritualin që bën para ndeshjes, por edhe atë çka e mundon aktualisht gjatë karrierës në Turqi. Sulmuesi i Kombëtares shënoi dje sërish nga penalltia duke gjetur golin e shtatë në kampionat dhe renditen me Koniasporin në vendin e dytë, çka u jep edhe të drejtën për të tentuar pjesëmarrjen në grupet e Champions-it.

Sokol, po luani në Turqi, sezon i mirë, keni shkëlqyer me supergola, ndërkohë nga ana tjetër jeni edhe një nga senatorët e ekipit kombëtar. A mund të themi se është ky kulmi i karrierës suaj?

Mund të them që tani kam më shumë eksperiencë, çka besoj që më ka ndihmuar të mbaj të njëjtin ritëm në këto vitet e fundit që kur jam bërë pjesë e Koniasporit. Tani që jam mbi 30 vjeç, mundohem të jem më i kujdesshëm në përditshmërinë time, si me stërvitjet po ashtu edhe me regjimin dhe kjo më ka ndihmuar që të kem këtë vazhdimësi. Uroj që të vazhdoj kështu edhe për një kohë të gjatë.

 

Si e menaxhon jetën Cikalleshi, dikur beqar ndërsa tani familjar?

 

Normalisht, kur je familjar, je më i mbledhur dhe më i fokusuar. Je më i qartë tek ajo që kërkon. Unë kam krijuar familje që herët, në moshën 22- 23-vjeçare, kështu që më ka ndihmuar në pjesën e fokusimit, të stërvitjes. Kjo është ajo që ka qenë gjatë gjithë karrierës sime deri tani: familje, stërvitje. Tani mundohem të jem akoma edhe më shumë i disiplinuar në përditshmëri sepse besoj se duke qenë një njeri që në përditshmëri i bën detyrat njësoj si brenda apo jashtë fushe në mënyrën e duhur, jetëgjatësia e karrierës do të jetë edhe më e madhe, sepse këto gjëra kanë të bëjnë shumë.

Po luani në nivele të larta. Kur jeni në fushë, e keni pyetur ndonjëherë vetën apo e keni menduar: Cilat janë limitet e mia?

Kjo gjë varet edhe nga karriera. Unë tani jam në momentin që edhe para pak ditësh firmosa një kontratë edhe për dy vite te Koniaspori. Diçka tregon se edhe klubi e ka besimin, por edhe unë ndihem shumë mirë që do të vazhdoj të jem në këto lloj nivelesh edhe për ca kohë, kështu që nuk besoj se kam vendosur ndonjëherë limit, por duke parë vit pas viti, pasi t’i mbyll edhe këto dy vite këtu, që i thonë në moshën 34- vjeçare, duke parë edhe duke vendosur disa gjëra, sepse nuk është vetëm futbolli, shihet edhe ana familjare. Unë kam një fëmijë tani edhe vjen mosha e shkollimit të tyre dhe këto kanë atë rëndësinë e vet, kështu që kemi kohë edhe nja 2-3 vite dhe besoj se do të jem në këto nivele.

Aktualisht ku po hasni vështirësi, si në futboll apo jashtë tij? Cila është ajo gjë që e shqetëson Cikalleshin?

Të them të drejtën, gjëja më e vështirë nuk është se ndodhet brenda futbollit, por jashtë saj. Koha me familjen është ajo çka më mungon sepse duke qenë se jemi në aktivitet çdo ditë, po ashtu edhe me ndeshje çdo javë, na bën që ta kemi të reduktuar kohën me familjen, me vajzën time. Kështu që, nuk kemi atë mundësinë që të shijosh ato ditët apo ato pushimet siç i do. Kjo gjë, duke u rritur edhe vajza, ka bërë që të ndihet edhe më shumë. Pastaj për pjesën e futbollit nuk është se kam ndonjë vështirësi, sepse mundohem që të jem i disiplinuar si brenda dhe jashtë fushe.

A është ky sezoni i bekuar i sulmuesve: ju në Turqi, Broja që po shkëlqen në Angli, Uzuni kaloi në La Liga, Rei Manaj është zgjuar dhe po bën mirë në Serinë A? A mund ta themi këtë?

Kjo gjë është në favor të Kombëtares dhe ndikon pozitivisht tek ajo dhe jo vetëm sulmuesit, por është mirë që çdo lojtar të luajë edhe të bëjë maksimumin te klubet e tyre. Në momentin që luajmë mirë në klubet tona respektive dhe grumbullohemi me Kombëtaren, ajo mund të na gjejë në formë akoma edhe më të mirë. Duke qenë në formë si grup, do të vijnë edhe rezultatet. Të gjithë po luajnë, kjo është një gjë e mirë për trajnerin më saktë dhe që në ndeshjet e marsit si unë, si sulmuesit apo edhe lojtarët e tjerë si mesfushorë apo mbrojtës të paraqiten sa më mirë dhe të përgatitemi për Ligën e Kombeve dhe më pas për kualifikueset e Europianit.

Me skemën që është aplikuar në Kombëtare, ku është Cikalleshi më rezutativ: si sulmues i parë, tipik pykë apo si sulmues i dytë, ku ndiheni më mirë?

U bë kohë që luaj pykë, edhe këtu tek ekipi im. Mund të them që kam luajtur edhe disa ndeshje në krah, çka më ka bërë të jem pak më larg portës. Edhe vjet duke qenë se kam luajtur si “Winger”, nuk është se shënova shumë gola. Por tani kam luajtur 80% të ndeshjeve si pykë, që është edhe pozicioni im ideal.

A do të ishit gati që të luanit me Brojën nga njëri krah dhe Uzunin nga tjetri? A mund të luajë Shqipëria me tre sulmues?

Të gjithë e dimë që skemën e vendos trajneri dhe e dimë se çfarë skeme kemi ne si Kombëtare sepse kemi vite që luajmë me 3-5-2. Kemi bërë ndeshje të mira ku kemi marrë edhe rezultate. Sigurisht që e mira nuk ka fund dhe ne do të tentojmë edhe në ndeshjet e ardhshme. Nëse trajneri pastaj vendos të aplikojë një skemë tjetër, do të jemi dakord dhe në çdo pozicion që të luaj, jam i gatshëm që të jap maksimumin. Është një gjë që nuk varet nga ne.

A është e vërtetë, pasi ka qarkulluar lajmi që gjatë ndeshjeve të fundit të Kombëtares, për shkak edhe të një tensioni të krijuar mes Brojës dhe trajnerit, keni qenë ju ai që jeni përpjekur ta zbusni këtë situatë?

Tani, nuk do ta quaja tamam tension sepse duhet të dimë diçka, që trajneri nuk ka asgjë kundër Cikalleshit, Brojës, Çekiçit apo dikujt tjetër. Normalisht kush nuk do ta donte lojtarin e mirë, kushdo qoftë ai. Reja është aty në krye të ekipit për të zgjidhur çdo gjë në mënyrën më të mirë të mundshme për Kombëtaren dhe për veten e tij. Pastaj ajo që kam bërë unë, jam mundur që të flas për ato gjëra që duhet të dinë. Jam munduar të flas jo vetëm me Brojën, por edhe me Çekiçin, Uzunin. Këtë gjë ka bërë edhe Berisha, edhe Roshi, sepse jemi edhe pak më të mëdhenj në moshë, kështu që duhet të krijojmë edhe pak atë harmoninë në ekipin kombëtar.

Po t’i vinit një notë Cikalleshit për sa mirë e flet turqishten, cila do të ishte?

Turqishten e flas mirë sepse u bënë shtatë vite që jam këtu.

Nota 10, me pak fjalë?

10 nuk e merr as profesori, më mirë 9 (qesh).

Ju shënuat sërish, por ai goli i javës së parë me gjysmëroveshatë ishte i përkryer. A mund të jetë goli më i bukur deri tani në karrierë?

Po, është ndër më të bukurit, duke e krahasuar me atë të Kombëtares që shënova ndaj Çekisë, që ishte nga larg. Është ky, pastaj është edhe një tjetër më rroveshatë kur luaja te Bashakshehiri, por ky i fundit është më i bukuri sepse ka shumë komponentë brenda. Më vjen keq vetëm që nuk u përkthye në pikë sepse do të kishte shije më të mirë.

Për shkak të moshës suaj, pa mbetje qejfi, sepse mund të bëni edhe mrekulli dhe nuk i dihet, a mund të jenë eliminatoret e Europianit mundësia e fundit për të arritur diçka me Kombëtaren?

Në Europian me brezin tim kemi shkuar një herë dhe ka qenë diçka speciale, sepse ishte edhe hera e parë. Në ato kohë ishim më larg Europianit sesa jemi tani, si me ekipet dhe me vazot, ndoshta mund të kemi lehtësi më shumë. Besoj që jemi gati, lojtarët po luajnë të gjithë. Unë nuk është se kam ndonjë “pishman”, thjesht mundohem të bëj maksimumin. Kam qenë gjithmonë, që në ditën e parë, që prej 8-9 vitesh në Kombëtare kam bërë punën time. Kur e ka parë të arsyeshme trajneri për të më marrë, më ka thirrur. Deri në momentin që ai do të shikojë që unë mund ta ndihmoj ekipin, unë do të jem i gatshëm. Nëse do të mendojë të kundërtën unë prapë do të jem dakord. Karriera kështu e ka, është një proces, ka një fillim por ka edhe një fund. Sa të jem në Kombëtare, Cikalleshi do të jetë 100%.

Çfarë rituali bëni përpara ndeshjes, gjithmonë nëse e keni një të tillë?

Nuk kam ndonjë të veçantë, thjesht futem me këmbën e djathtë në fushë gjithmonë, ky është rituali që bëj. Plus që i lutem edhe Zotit që të më ndihmojë. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: