Një pirg i madh inertesh gurësh dhe dheu, një ndërhyrje me diametër rreth 1 metër në pjesën anësore të tunelit është ajo që lanë pas një grup grabitësish pas tentativës për t’u futur brenda një banke të nivelit të dytë në bulevardin “Zogu I”. Policia ka mundur të sekuestrojë vetëm disa objekte të përdorura për gërmim, por nuk ka asnjë të dhënë për autorët.

Dyshohet se autorët kanë pasur një hartë të qartë për t’u orientuar në cilën pikë të tunelit do të ndërhynin për të mbërritur në bankë. Nga pika e hyrjes në tunelin e betonizuar deri tek pika ku do të kryenin punime autorët lëviznin në këmbë dhe inertet e nxjerra nga tuneli që po gërmonin ata i hapnin përgjatë tunelit kryesor duke mos nxjerrë asnjë shenjë në sipërfaqe.

Prej disa ditësh në godinën e shembur nuk po kryhen më punime çka dyshohet se nxori zbuluar punën e nëndheshme të grabitësve pasi zhurmat shqetësuan qytetarët dhe policia mbërriti në vendngjarje. Autorët shfrytëzuan shembjen e një ndërtese në bulevard për të kamufluar zhurmat e të punonin pa u vënë re për më shumë se 20 ditë.

Uniformat blu po pret përgjigje nga laboratori i kriminalistikës i cili po këqyr provat materiale të gjetura brenda tunelit për të shkuar në identifikimin e autorëve të kësaj tentative grabitje.

Një tentativë e ngjashme grabitje është shënuar në zonën e ish-bllokut në vitin 2016. Pikërisht nga sendet e gjetura brenda tunelit policia identifikoi dhe arrestoi autorët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb