Monopolet, oligopolet apo kartelet janë shqetësim gjithnjë e më i madh në botë, veçanërisht në tregje me rëndësi kritike si telekomunikacioni, informacioni apo energjia. Por në komunën e Podujevës në Kosovë, raportohet se ka pasur një tentativë nga berberët vendës për të rritur në mënyrë të bashkërenduar çmimet, duke krijuar në këtë mënyrë një “kartel”.

Autoriteti i Konkurencës së Kosovës publikoi një deklaratë së fundmi ku dënohej tentativa për këtë kufizim të konkurrencës.

“Divizioni anti kartel në kuadër të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, morri në pyetje organizatorët të cilët tentuan ta ngrisin çmimin e qethjes në komunën e Podujevës në formë të bashkërenduar apo kartel,” thuhet në deklaratë, e cila shton se pas marrjes në pyetje organizatorët ishin tërhequr nga tentativa.

“Ngritja apo ulja e çmimit të produkteve dhe të shërbimeve në një ekonomi të tregut bëhet në mënyrë individuale dhe në këtë formë, çdo ndërmarrje është në suaza të ligjit. Ndërsa grupimi i ndërmarrjeve që kanë për qëllim arritjen e marrëveshjeve për caktim të çmimit, është shkelje e rëndë ligjore dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në këtë rrafsh është i pakompromis,” vijon më tej deklarata.

Autoriteti vëren gjithashtu se për shkak se tentativa për rritjen e çmimeve nuk është realizuar, institucioni nuk mundet të hapë hetime ndaj berberëve të përfshirë në tentativën për kartel./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb