Prokuroria në Prishtinë ka nisur hetimet rreth tentativës së sulmit ndaj Rrahman Jasharajt.

Paraditën e sotme, në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, një qytetar tentoi ta sulmojë kryesindikalistin e arsimit, Rrahman Jasharajn.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë se është nisur rast për kanosje.

“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Kanosja”, si dhe janë autorizuar policia për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Jasharaj tha sot pas incidentit se ka pasur tentativë sulmi ndaj tij “nga një prind”. Ai tha se mund të sulmohet edhe në rrugë.

“Një prind deshi të më sulmojë, ishte tendencioze – mund të sulmohem edhe në rrugë”, deklaroi Jasharaj pas incidentit.

Më pas, mediat në vendin e ngjarjes raportuar se Jasharajn deshi ta sulmonte gjyshi i një nxënëse.
Pas këtij incidenti, gjyshi i nxënëses është deklaruar për media, duke e quajtur Rrahman Jasharaj si “armik të nxënësve”.

“Mbesën time e kam regjistruar në klasë të parë sivjet. Erdha të pyes a po fillon mësimi apo jo. Hyra në sallë ku po mbahej mbledhja e Sindikatës. E pashë, armikun e këtyre nxënësve, se askënd tjetër nuk e ofendoj vetëm atë personalisht. Ai e ka marrë një kokëfortësi në vete e i ka nda edhe arsimtarët edhe arsimin. Ky është armik, më i zi se shkau”, deklaroi ai pas përplasjes në klasë.

Pas tentativës për sulm ndaj Jasharajt, ka edhe pasur reagime, duke thënë se linçimet nga pushteti dhe njerëz të afërt me partinë në pushtet, mund të shtyjnë në sulme ndaj kryesindikalistit.

Greva e arsimtarëve po vazhdon, e bashkë me të lufta Qeveri – sindikata. Kryeministri Albin Kurti po kërkon përfundimin e grevës, pa i plotësuar kërkesat e sindikatave, udhëheqësi i të cilave thotë se Kurti s’po pranon të dialogojë me to.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb