Në muajin nëntor të këtij viti, një shqiptar nga Kosova do duhet të përgjigjet para Gjykatës rajonale në Baden, Gjermani por askush nuk e di se ku gjendet aktualisht i akuzuari.

“Data e gjykimit: Më 7 nëntor 2018. Akuzat: tentativë vrasje dhe plaçkitje. Vendi i banimit të të pandehurit: I panjohur”. Kjo është një ftesë gjyqësore që mund të lexohet në Gazetën Zyrtare të Aargaut nga data 31 gusht i këtij viti, shkruan “Aargauer Zeitung”, shkruan Albinfo.ch.

Kështu është njoftuar një shtetas kosovar për gjykimin e tij pranë Gjykatës së rrethit në Baden dhe ai duhet të paraqitet. Por, vendndodhja e tij mbete mister. Kjo çështja hap shumë pyetje: Si ndodhi kjo? Pse i akuzuari nuk është në paraburgim?

Gjykata rajonale në Baden nuk jep informata për rastin konkret, pasi është një çështje e pazgjidhur. Përgjegjësja për marrëdhëniet me media, Vanessa Bugmann thotë se në cilat raste duhet të mbahet i akuzuar.

“Duhet të jetë një dyshim urgjent, si dhe një arsye e veçantë, të tillë si rreziku i arratisjes, rreziku i errësimit të lëndës apo rreziku i përsëritjes së veprës, për ta paraburgosur ndokënd dhe për ta mbajtur më tej”, shpjegon ajo.

Në rastin e kosovarit të akuzuar, nuk duket të jetë një rast i ngjashëm. Pavarësisht se akuzohet për tentativë vrasje, ai duket se nuk ka qenë në paraburgim ose është liruar nga paraburgimi. A nuk ka pasur rrezik arratisje? Kjo pyetje mbetet e hapur, por e qartë është se personi është zhdukur dhe për këtë arsye duhet të ftohet përmes Gazetës Zyrtare në gjykimin e tij.

Por, çfarë ndodh nëse i akuzuari nuk e lexon gazetën zyrtare dhe nuk paraqitet në gjykim? “Në përgjithësi, me ligj, personi i akuzuar thirret për herë të dytë në qoftë se mungon pa justifikim”, thotë Vanessa Bugmann.

Nëse ai nuk paraqitet edhe gjatë seancës së dytë gjyqësore, në kushte të caktuara mund të jepet një vendim në mungesë të tij. Megjithatë, kjo është e mundur vetëm në kushte të caktuara.
“Të akuzuarit duhet të kenë mundësinë për t’u përgjigjur mbi veprat e pretenduara në proceset e mëparshme. Përveç kësaj, provat mund të lejojnë një vendim pa praninë e të akuzuarit”.

Nëse i akuzuari nuk paraqitet për gjykim, atij mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë. Shqiptarit mund t’i vihet një gjobë prej rreth 1.000 frangash, si dhe shpenzimet e procedurës dhe kompensimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb