Një i ri nga Sllovenia është ndaluar në pikën kufitare të Morinës me një sasi eurosh të padeklaruara. Burime policore bëjnë me dije se janë sekuestruar 12.700 euro, 2150 dinarë të Maqedonisë së Veriut dhe 100 franga zvicerane. Mësohet se paratë u gjetën gjatë kontrollit të ushtruar në  automjetin e shtetasit me inicialet A. K., 34 vjeç, banues në Slloveni. I riu u  procedua penalisht dhe akuzohet për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. K., 34  vjeç, banues në Slloveni.

Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij të dorës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 12.700 euro, 2150 dinarë të Maqedonisë së Veriut dhe 100 franga zviceriane,  të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb