Policia Kufitare e Qafë-Botës ka goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa në pranga ka rënë një person.

Në kuadër të operacionit të koduar “Border u arrestua shtetasi Aleksandër Azizaj, 45-vjeçar nga Fieri, ndërsa u sekuestruan 80 kilogramë kanabis.

NJOFTIMI I POLICIË
Operacioni nga Policia Kufitare e Qafë Botës, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe autoritetet doganore të Qafë Botës.
Tentoi të trafikonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike cannabis sativa, drejt Greqisë, vihet në pranga 45-vjeçari nga Fieri.
Sekuestrohen 80 kilogramë kanabis dhe një automjet (kamionçinë).
Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Botës, bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mund të transportonte një sasi të madhe lënde narkotike drejt Greqisë, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip kamionçinë që drejtohej nga shtetasi A. A., 45 vjeç, banues në Fier.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm dhe të përbashkët të strukturave që operojnë në pikën e kalimit kufitar Qafë Botë, u bë e mundur që në brendësi të kamionçinës të gjendeshin të fshehura 74 pako me lëndë narkotike kanabis (me peshë 80 kilogramë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip kamionçinë.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi A. A. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve është bërë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb