Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka falënderuar efektin e policisë, që ndërhyri duke parandaluar dy ditë më parë një konflikt, që mund të përfundonte në vrasje të dyfishtë.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në Bulevardin “Migjeni”, në Yzberisht, ku shtetasi Taulant Mekollari, me precedentë penalë, u konfliktua në timon me një shofer tjetër, shtetasin Glomir Malaj, dhe më pas e ndoqi, ku tentoi ta shtypë me makinë, bashkë me bashkëshorten e tij shtatzënë.

Drejtor Veliu, gjatë bisedës së zhvilluar sot me punonjësin e policisë, e ka falënderuar dhe përgëzuar atë për “kurajën dhe guximin, për aktin human dhe të përgjegjshëm që ai kreu edhe pse nuk ishte në shërbim”.

“Ajo që ju bëtë është mishërimi i asaj çka duhet të bëjmë të gjithë ne punonjësit e Policisë së Shtetit. Veprimet e tua ishin kurajoze dhe profesionale, që nga vendimi që more për të ndërhyrë, nxjerrja dhe mbajta e armës, dhënia e komandave për personin që duhej t’i bindej urdhrit të punonjësit të Policisë e deri në neutralizimin e tij. Për këtë, unë si Drejtor i Përgjithshëm, por e gjithë organizata e Policisë jemi krenarë për veprimin tuaj. Qytetarët panë tek veprimet e tua Policinë që duan dhe kjo ka akoma më shumë vlerë për ne, rritja e besimit dhe e mbështetjes së qytetarëve për Policisë, pasi pa qytetarët ne nuk mund ta kryejmë dhe përmbushim si duhet detyrën. Veprime të tilla në shërbim e në mbrojtje të jetës së qytetarëve duhet të jenë motiv për të gjithë punonjësit e Policisë”, ka thënë Veliu.

Punonjësi i Policisë, Shkëlzen Tafa, pjesë e forcës së posaçme “Shqiponja”, aktualisht në praktikë, pasi vijon studimet në vitin e tretë Bachelor në Fakultetin për Hetimin e Krimit në Akademinë e Sigurisë, ka falënderuar drejtor Veliun për pritjen dhe vlerësimin dhe e ka siguruar atë se veprimin që ai ka kryer nuk e ka bërë për famë apo për bujë, por sepse ishte përgjegjësi morale dhe ligjore për uniformën që mban dhe detyrimin ndaj qytetarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb