LEZHE- Një familje lezhjane ka përjetuar çaste tmerri kur dy hajdutë kanë tentuar të hyjnë në banesën e tyre, por pasi kanë pikasur se në shtëpi ndodheshin pronarët autorët janë larguar me shpejtësi. Ndërkaq policia e Lezhës ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë njërin prej tyre.

Kështu mësohet se është vënë në pranga 20-vjeçari Renato Çupi, banues në Lezhë. I riu ka shkuar bashkë me një person tjetër, në një pallat në lagjen “Gurra” dhe kanë tentuar të vjedhin banesën e shtetases me iniciale M.N, e cila në atë moment ka qenë në banesë së bashku me djalin e saj.

Autorët janë përpjekur të hapin derën e apartamentit dhe më pas janë larguar, pasi kanë dëgjuar zhurma nga brenda banesës. Ndërkaq policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër në këtë ngjarje.

Vjedhjet në qytetin e Lezhës kanë qenë të shumta kohët e fundit, ndërsa në shumicën e këtyre ngjarjeve, policia ka mundur të arrestojë autorët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb