(Në foto Lul Berisha)

TIRANE- Është ekstraduar nga Kosova drejt vendit tonë Ahmet Ajeti, 35 vjeç, i cili rezulton i dënuar nga drejtësia shqiptare me 20 vjet burg për “Vrasje me paramendim”. Sipas policisë më datë 30.08.2005, Ahmet Ajeti dhe O. K. të porositur nga E. D. dhe A.C., kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë ish kreun e bandës së Durrësit, Lul Berishën, por plani dështoi pasi u konfliktua me disa persona të tjerë.

Njoftimi i policisë:
Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Kosova drejt vendit tonë, i shtetasit, Kosovar, Ahmet Ajeti , 35 vjeç, lindur në Lipjan/ Kosovë.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Më datë 30.08.2005, shtetasit Ahmet Ajeti dhe O. K. të porositur nga shtetasit E. D. dhe A.C., kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë shtetasin L. B.. Para se të kryhej atentati në afërsi të lokalit ku ndodhej L. B., shtetasi Ahmet Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur dhe në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën është vetplagosur.

Shtetasi Ahmet Ajeti është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më datë, 07.03.2016, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin nr. 01 datë 16.01.2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Armëmbajtje pa leje” .
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë i mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb