Dhjetë aktivistë të Hong Kongut, të arrestuar në det derisa përpiqeshin të iknin në Tajvan me anije, janë dënuar me burg në Kinë. Dy të tjerë – nga grupi i të rinjve i quajtur Hong Kong 12 – janë të mitur dhe do të kthehen në Hong Kong. Aktivistët janë kapur në gusht derisa kanë bërë përpjekje për të ikur nga qyteti, i cili ka miratuar një ligj të ashpër për sigurinë kombëtare, të prezantuar nga Pekini. Ata janë akuzuar për organizimin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Dënimet e shqiptuara nga gjykata në qytetin Shenzhen variojnë nga shtatë muaj deri në tre vjet burgim.

Gjykata tha se të 12 të pandehurit janë deklaruar fajtorë për krimet e tyre. Seanca dëgjimore ka nisur më 28 dhjetor dhe ka qenë e mbyllur për gazetarët dhe diplomatët e huaj.

Familjarët e të pandehurve kanë thënë se ata nuk kanë mundur t’i zgjedhin avokatët e tyre dhe se akuzat janë të motivuara politikisht. Qindra qytetarë të Hong Kongut kanë kërkuar strehim në Tajvan që nga fundi i vitit të kaluar, për t’i shpëtuar represionit në rritje nga regjimi në Pekin. Hong Kongu ka qenë koloni e Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 1997, kur i është dorëzuar Kinës në bazë të kornizës “një shtet, dy sisteme”. Me këtë kornizë, qyteti i Hong Kongut ka pasur të drejta të veçanta që nuk i ka gëzuar pjesa tjetër e Kinës komuniste, por thuhet se Ligji i ri i sigurisë kombëtare tani e dëmton atë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: