Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar se si grupet kriminale tentuan të grabisnin drogën që u kap në kontejnerët e biznesmenit Arbër Çekaj. Brenda kontejnerëve me banane u gjet një sasi prej 613 kanabis në vitin 2018.
Dhe sipas gazetares, grupet kriminale kanë bashkëpunuar me zyrtarë të policisë për ta marrë sasinë e drogës nga laboratori kriminalistik i Policisë së Shtetit.

Ajo ka treguar se SPAK ka nisur hetimet pas zbulimit të bisedave nga komunikimet në EncroChat dhe në SKY. Sipas gazetares, në momentin kur trafikantët kanë dështuar për ta grabitur drogën brenda laboratorit kanë punuar me mekanizma të tjerë për ta zëvendësuar me miell dhe niseshte.

“SPAK mbi bazën e disa të dhënave të marra nga komunikimet në EncroChat dhe në SKY është duke hetuar nën dyshime të mundshme se grupet kriminale në bashkëpunim me zyrtarë të policisë kanë ndërhyrë në laboratorin kriminalistik të Policisë së Shtetit për të hequr prej andej dhe për të marrë sasitë e mëdha të drogës të sekuestruara që nga viti 2018. E mbani mend drogën e Arbër Çekajt? Ka rezultuar një bisedë në EncroChat dhe në SKY ka dyshime të forta dhe nëse kjo do të rezultojë e vërtetë, do të jetë një ndër skandalet më të mëdha që do përfshijë Policinë e Shtetit dhe dyshohet që në momentin kur trafikantët kanë dështuar për ta grabitur drogën brenda laboratorin, kanë punuar me mekanizma të tjerë për ta zëvendësuar me miell, niseshte etj”, tha ajo e ftuar në emisionin “Opinion”.

Ndërsa gazetarja Eni Ferhati shtoi se biseda në SKY, është zbuluar një individ shumë i lartë i botës së krimit, i cili shprehej se “të godasim drogën e sekuestruar nga policia”. “Çështja është që në SKY është një bisedë ku synohet… është një skenar filmi hollivudianë. Grabitja nuk ka ndodhur. Një individ shumë i lartë i botës së krimit është shprehur në SKY që të godasim drogën e sekuestruar nga policia. Droga ndodhej në Institutin e Policisë Shkencore në magazinat, ruhet nga forca policie”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: