ELBASAN- Efektifët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan kanë vënë në pranga dy të rinj, pasi kanë tentuar të trafikojnë për në Kosovë dy vajza, një prej tyre e mitur. Sipas të dhënave zyrtare, nga ana e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan është finalizuar me sukses operacioni i koduar  “Udhëtari”.

Pas një hetimi proaktiv  tre mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykates së Shkallës së Parë Elbasan  gjatë mbrëmjes së djeshme është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve.

1 – Platin Çekrezi, 26 vjeç, banues në fshatin Gjergjan, Elbasan, për veprat penale të “Trafikimi i të miturve”, “Trafikim i personave të rritur”;

2 – Erlind Kateshi, 26 vjeç, banues në fshatin Bishqem Fushë, komuna Pajovë, Peqin, për veprat penale të “Trafikim i personave të rritur” , dhe “Trafikimi i të miturve”.

Këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë tentuar të trafikojnë në Kosovë shtetaset:
B. K., 16 vjeçe, banuese në Durrës dhe A.R., 19 vjeçe, banuese në Elbasan.

Dy 26-vjeçarët janë kapur në flagrancë me datë 16.06.2015 në orët e mbrëmjes duke tentuar të kalojnë dy shtetaset për në Kosovë nëpërmjet Pikës së Kalimit të Kufirit Morinë, Kukës me automjetin tip Ford Fiesta me targa AA 113 DJ, në pronësi të shtetasit Platin Çekrezi.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Specialistët e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan në bashkëpunim me Efektivat e Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, këtyre shtetasve u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësine e provës materiale 5 aparate telefoni celular, 300 euro, 4 pasaporta, automjeti tip “Ford Fiesta” me targa AA 113 DJ dhe tre karta identiteti.

Lidhur me këtë procedim janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet shtesë në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprat penale “Trafikimi i të miturve”, “Trafikimi i personave të rritur” e kryer në bashkëpunim.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: