TIRANE- Deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari denoncoi sot nga selia e kësaj partie emërimin, siç tha, në në kundërshtim me ligjin e Shërbimit Civil të dy drejtorëve të rëndësishëm. Ata janë: Drejtori i Autoritetit Rrugor Afrim Qendro dhe Drejtori i AZHBR Frida Krifca. “Ndonëse ligji e thotë qartë që për këto pozicione drejtuese duhet të fitohet konkursi i trupës së nënpunësve civil të nivelit të lartë drejtues”, shton Braimllari, për këta të dy konkursi u shmang.

Sipas tij, Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë gati materialet dhe do ti drejtohet institucioneve të Bashkimit Europian, por dhe prokurorisë duke shpresuar në një hetim të pavarur të këtij rasti.

DEKLARATA E PLOTE
Jemi sot në këtë komunikim me mediat për të denoncuar për të disatën herë dhunimin e ligjit të shërbimit civil nga ana e Edi Ramës.

Bashkimi Europian investoi në Shqipëri miliona euro por dhe burime njerëzore me qëllim ndërtimin e një ligji, i cili do të sillte një administratë publike europiane, profesioniste dhe larg ndikimeve politike.

Sot administrata publike nën drejtimin e këtij kryeministri është tërësisht në kundërshtim me ligjin duke dalë dhe kundra BE, që po vetë Edi Rama propagandonte me të madhe si një risi e jashtëzakonshme e cila do të sillte një ndryshim rrënjësor në administratë.

Tepsia i është kalbur dhe i ka ngel në dorë nga paaftësia e tij dhe e njerëzve që e rrethojnë.

Po bëj publike dhe njëherë emërimet në kundërshtim me ligjin e Shërbimit Civil të dy drejtorëve të rëndësishëm të administratës publike, të cilët menaxhojnë qindra miliona euro fonde, jo vetëm nga buxheti i shtetit por dhe nga Bashkimi Europian.

Edi Rama ka emëruar në kundërshtim me ligjin e Shërbimit Civil Drejtorin e Autoritetit Rrugor Afrim Qendro, Drejtorin e AZHBR Frida Krifca, ndonëse ligji e thotë qartë që për këto pozicione drejtuese duhet të fitohet konkursi i trupës së nënpunësve civil të nivelit të lartë drejtues. Të dy këto drejtues, por jo vetëm nuk e kanë fituar këtë konkurs.

Frida Krifca është emëruar më dt 17.7 2017 në kundërshtim me ligjin

Pika 17 e VKM nr. 877, datë 14.12.2016 citon: “Për nënpunësit aktual të AZHBR zbatohen dispozitat e nenit 67 të ligjit 152/2013, “Për nënpunësin civil, të ndryshuar”. Pra ky titullar duhet të ishte trajtuar sipas ligjit të nënpunësit civil dhe duhet të ishte pjesë e trupës së nënpunësve civil të nivelit të lartë drejtues që në momentin e marrjes së detyrës nga ana e kryeministrit.

Në të njëjtën mënyrë, në kundërshtim me legjislacionin për Shërbimin Civil, është bërë komandimi në datë 19.09.2017 i z. Afrim Qendro në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Bazuar në ligjin nr.152/2013 “Për nënpunësin civil”, vendimin nr.142 datë 12.03.2014.

Autoriteti Rrugor Shqiptar është pjesë e listës së institucioneve të administratës shtetërore që bëhen pjesë e ligjit të Shërbimit Civil, pra ky titullar në momentin e marrjes së detyrës duhet të ishte pjesë e Trupës së nënpunësve të nivelit të lartë drejtues.

Lëvizja Socialiste për Integrim po ndjek me vëmendje çdo veprim të këtij kryeministri, njerëzve të tij në çdo institucion publik dhe do të vazhdojë të bëj publike shkelje të tilla të ligjit, akte korruptive por dhe presione që i ushtrohen çdo ditë punonjësve të administratës publike duke e kthyer atë në një organizatë politike të Rilindjes.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë gati materialet dhe do ti drejtohet institucioneve të Bashkimit Europian, por dhe prokurorisë duke shpresuar në një hetim të pavarur të këtij rasti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: