Mbi 100 ushtarë të Gardës Kombëtare të Rusisë janë liruar nga detyra, për shkak të mosbindjes ndaj urdhrave për të luftuar në Ukrainë, raportojnë mediat e huaja.

Të gjithë 115 gardistët kombëtarë ishin pjesë e njësisë Rosgvardia, njësi kjo e veçantë nga ushtria, grup të cilin Kremlini zyrtar zakonisht e përdor si një forcë të brendshme sigurie për luftën ndaj terrorizmit dhe shtypjen e disidentëve politikë.

Lirimi nga detyra i 115 gardistëve u bë publik me datën 25 maj, pasi që një gjykatë ushtarake ruse refuzoi padinë e tyre, me të cilën ata e kundërshtonin vendimin për lirimin e tyre. Në një vendim, i cili u publikua online gjatë javës së kaluar, u shkrua se ushtarët me të drejtë u liruan nga detyra.

Sipas mediave botërore, në vendimin e gjykatës shkruhej se ushtarët “refuzuan që të kryejnë detyrën zyrtare” dhe u kthyen në bazën ku ata po shërbenin më herët, në vend se ti zbatojnë urdhrat për të marrë pjesë në luftën e Ukrainës.

Kjo seancë dëgjimore u mbajt pas dyerve të mbyllura në mënyrë që mos të bëhen publike “sekretet ushtarake ruse”, raporton media e pavarur lokale The Moscow Times.

Ushtarët ngritën padi të përbashkët për të kundërshtuar vendimin për lirimin nga detyra, por që padia u refuzua nga gjykata, ndërsa avokati i tyre tha se komandantët e gardistëve u kishin dhënë atyre mundësinë e mospjesëmarrjes në luftë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb