TIRANE-Tërbunit i janë dashur nëntë ndeshje që të ngjitet në krye të klasifikimit. Duke përfituar edhe nga humbja e Besëlidhjes në Lezhë, pukjanët janë ngjitur në krye pas fitores së djeshme 1-0 në fushën e tyre ndaj Kastriotit. Greca shënon golin e vetëm që i jep tri pikë shumë të vlefshme Tërbunit në synimin që ka: ngjitjen në Superiore.

TËRBUNI-KASTRIOTI 1-0
GOLI: Greca 40′
TËRBUNI: Gjokoviç, Mone, Lila, Kepi, Danaj, Çutra, Tafaj, (Kaluderoviç 85′), Rrocaj (Djarmati 68′), Greca (Marku 80′),
Leka, Agastra. Trajner: E.Plori
KASTRIOTI: Çali, Caca, Hoxha, Pengili (Grabova 88′), Shaba, Guri (Zela 72′), Kule, Amau, Bakiu, Bytyçi, Rroshi. Trajner: A.Alcani
KARTONË TË VERDHË: Greca 79′, Hoxha 35′, Pengili 40′, Rroshi 64′
GJYQTARË: S.Greca, E.Malaj, M.Kosaj
DELEGAT: V.Zëri (Tiranë)
VËZHGUES: K.Brahja

Ndeshja Tërbuni e ka nisur vrullshëm takimin që në minutën e 1- rë. Rroca jep një asist për Agastrën, por sulmuesi nuk arrin të shënojë. Në të 6-ën, mesfushori shkodran Senad Lekaj shmang dy-tre mbrojtës dhe pengohet brenda zonës. Gjyqtari kryesor akordon 11-metërsh dhe njëkohësisht karton të verdhë për Hoxhën. Greca gjuan, por grushton portieri mik dhe topi përfundon jashtë. Vendësit humbasin një mundësi të mirë për të shënuar. Kundërsulmojnë pukjanët me anë të Lekës, që e pason topin te Rroca, i cili godet, por jashtë. Në minutën e 32-të, Agastra i vetëm me portierin ka mundësi, por topi mbetet në ujë. Në të 37-ën, Tërbuni organizon një kundërsulm me anë të Bakiut, por ky i fundit nuk arrin të shënojë. Tri minuta më pas, Bruno Kepi jep një top për Grecën, që shmang dy mbrojtës kundërshtarë dhe brenda zonës gjuan dhe shënon për të tijtë. Pjesa e dytë nis me zëvendësime të kryera nga të dy trajnerët. Që në minutat e para të kësaj pjese pukjanët gjuajnë rrezikshëm, por topi godet shtyllën. Në minutën e 50-të, Agastra del i vetëm me portierin e krutanëve, por nuk ia del të realizojë. Në lojë ka hyrë Matko Djarmati, që i jep zemër ekipit në mesfushë. Ai jep një asist sa hyn në fushë për Agastrën, por topi sërish mbetet në ujë. Pas minutës së 75-të zgjohen miqtë, të cilët kërkojnë golin me anë të Bytyçit, i cili gjuan nga larg, por topi përfundon jashtë. Edhe Kule ka pasur një rast të pastër për shënim, por nuk ia ka dalë. Këtu përfundojnë dhe 90 minutat e ndeshjes. Me këtë 3-pikësh, Tërbuni ngjitet në krye të Grupit B, në një kohë që krutanët zbresin në vendin e 7- të me nëntë pikë.
Deklaratat
Plori: “Ishte një fitore e merituar! Në pjesën e parë dominuam tërësisht. Kishim mundësi të shënonim edhe gola të tjerë. Mirëpo, kushtet atmosferike na penguan. Sot gjendemi në krye të grupit. Tani do të përqendrohemi te takimi me Besën e Kavajës. Nuk duhet të hedhim asnjë hap fals. Falënderoj tifozërinë që na mbështeti, edhe pse në kushte atmosferike jo të përshtatshme për të ndjekur takimin”.
Alcani: “Shiu na shoqëroi gjatë të gjithë kohës dhe për këtë arsye nuk dolëm dot në lojën tonë. Sa i takon Tërbunit, luajti mirë dhe e meritoi fitoren. Në pjesën e dytë kishim mundësi të barazonim, por nuk ia arritëm dot. Suksese Tërbunit drejt Superiores! Do të mendojmë për sfidën e radhës, ku do të përqendrohemi maksimalisht. E rëndësishme është që të jemi të bashkuar dhe të japim maksimumin”.
(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb