TIRANË- Sot në orën 14.:30 në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, u paraqiten përfaqësuesit e kompanisë private që ofron shërbimin e mbikëqyrjes elektronike.

Ata pranuan që të dorëzonin pajisjet në pronësinë e Ministrisë së Drejtësisë, dhe lejuan grupin e punës së Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë kolaudimin e pajisjet, së bashku me ekspertët e kompanisë.

Ministria e Drejtësisë për shkak të kompleksitetit të procesit, kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, për të mbikëqyrur procesin e marrjes në dorëzim të këtyre pajisjeve dhe realizimit të procesit të kolaudimit nga grupi i punës.

Në përfundim të procedurës së kolaudimit, Ministria e Drejtësisë do të bëjë marrjen në dorëzim të këtyre pajisjeve, me qëllim garantimin e zbatimit të kontratës dhe realizimit të procesit të mbikëqyrjes elektronike sipas ligjit.

Ministria e Drejtësisë garanton se procesi i kolaudimit do të jetë i pandërprerë, me qëllim mos pengimin e funksionimit të ofrimit të shërbimit të mbikëqyrjes elektronike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb