Ndryshe nga si ishte paralajmëruar, “Korrigjimi i kufijve” dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të diskutohen në takimin e së premtes ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Zyra e presidentit Thaçi ka bërë të ditur për gazetën kosovare “Zëri” se në takimin e pasnesërm do të diskutohet rreth modaliteteve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javë më parë kishte paralajmëruar se gjatë shtatorit do ta prezantojë në Bruksel idenë e korrigjimit të kufijve, i cili nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Megjithatë, në takimin e së premtes të Thaçit me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq nuk do të diskutohet për “korrigjimin e kufijve” dhe as për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Të paktën kështu ka thënë zyra e presidentit Thaçit: “Korrigjimi i kufijve dhe Asociacioni nuk do të jenë në tavolinën e bisedimeve”.

Më tej Presidenca thotë se në takimin e 7 shtatorit do të diskutohet për modalitetet e arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: